ITALI- Italia përfshihet nga një skandal korrupsioni me agjencinë hapësinore Finmeccanica. Administratori i deleguar në këtë agjenci, Giuseppe Orsi u arrestua me urdhër gjykate pasi dyshohet se ka përfituar rryshfet për mbylljen e një marrëveshje me qeverinë indiane për shitjen tek kjo e fundit të 12 helikopterëve.
Vec administratorit Orsi urdhër-arresti është lëshuar edhe për dy persona të tjerë. Sipas autoriteteve italiane, Orsi ndodhej nën hetim prej muajsh dhe vendimi për arrestimin u mor pas sigurimit të provave të nevojshme që e lidhin atë me aferat korruptive. Vetë Orsi mohoi akuzat duke thënë se shitja ishte bërë në përputhje me ligjet e vendit.
Vendimi i gjykatës detyroi kompaninë të mos hapë aksionet e saj në bursën e Milanos.
Në një deklaratë për mediat agjencia Finmeccanica shprehu solidaritetin dhe mbështetjen për kreun e saj nën hetim. Ndërkohë, kryeministri italian, Mario Monti shprehu besimin tek drejtësia për zbardhjen e gjithë cështjes. Ai pranoi se ka probleme në administrimin e Finmeccanica-s, por shtoi se qeveria është duke u përballuar suksessëhm me to.
Lidhur me arrestimin ka kërkuar sqarime edhe qeveria indiane e përfshirë në marrëveshjen me Orsin për blerjen e helikopterëve. Ministria e Jashtme e Indisë deklaroi se kishte kërkuar sqarime nga qeveria italiane, por se kjo e fundit ishte përgjigjur se bëhej fjalë për një proces në hetim dhe se nuk mund të jepte detaje të tij.
Ky është skandali i radhës i korrupsionit të koorporatave dhe kompanive të mëdha që veprojnë në vend pas shkëmbimeve aventuriere të bankës “Monte Paschi di Siena” dhe zërave për korrupsion në radhët e grupit të naftës, “Saipem”.