TIRANË, 11 shkurt 2013 – Përcjellja në ekonomi e efekteve të politikës monetare lehtësuese është frenuar nga rritja e primeve të perceptuara të rrezikut dhe nga ndryshimi i sjelljes së agjentëve të tregut financiar, dhe të ekonomisë reale, ka deklaruar guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Në gjysmën e parë të vitit 2012, tregu primar vendas u përball me ndryshime strukturore, të rrjedhura nga zbatimi i masave shtrënguese të reja nga autoritetet mbikëqyrëse Evropiane, tha Fullani.
Ky zhvillim ndikoi në ruajtjen e normave relativisht të larta të yield-eve, pavarësisht kahut lehtësues të politikës monetare dhe rënies së normave afatshkurtra të interesit në tregun e parasë, vërejti kreu i Bankës së Shqipërisë.
Normalizimi i tregut primar në gjashtëmujorin e dytë u reflektua në rënie progresive të yield-eve gjatë kësaj periudhe, deklaroi Fullani.
Kjo prirje duket të jetë përcjellë dhe në koston e kredisë në lekë për sektorin privat, ndonëse me një intensitet më të ulët si pasojë e primeve të rrezikut që reflektohen në çmimin e kredisë për agjentët privatë, mendon Baka e Shqipërisë.
Në përgjithësi, huamarrja e kontrolluar e sektorit publik në tregun e brendshëm të parasë, zgjerimi i bazës së investitorëve në letrat me vlerë të Qeverisë, si dhe stabilizimi i primeve të rrezikut në ekonomi, krijojnë premisa për funksionimin më të mirë të kanaleve të transmetimit në të ardhmen, është optimist guvernatori i parave shjqiptare.
Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë beson se qëndrueshmëria afatgjatë e borxhit publik dhe kufizimi i huamarrjes publike në tregun e brendshëm të parasë ndihmon në rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe në rritjen e hapësirave për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë.
th. m./Agjencia e lajmeve “Dyrrah”