LONDËR, 11 shkurt 2013– Sipas të dhënave të Këshillit Botëror të Arit (World Gold Council), aktualisht në botë ka 31.575 tonë rezerva ari, kurse përqindja e eurozonës (bashkë me Bankën Qendrore Evropiane) është 10.783 tonë.

I pari në botë për nga rezervat e arta, shumë para të tjerëve, përsëri është SHBA-ja, që disponon 8.133 tonë flori, ose 76.1 për qind të rezervave të shtetit.

Në vend të dytë është Gjermania – me 3.391 tonë, të cilët përbëjnë 73.5 për qind prej rezervave të saj. Vendin e tretë e zë FMN-ja, me 2.814 tonë flori. Në vendin e katërt dhe të pestë janë Italia (2.452 tonë) dhe Franca (2.435 tonë).

Më tej në klasifikim radhitet Kina (1.054 tonë), Zvicra (1.040 tonë), Rusia (938 tonë) dhe Japonia (765 tonë). Në vend të dhjetë është Holanda, me 612 tonë rezerva ari.

Përqindja e rezervave të floririt, në sfondin e rezervave të përgjithshme, është më e vogël në Kinë – 1.7 për qind, kurse më e lartë është në Portugali, ku rezervat e arit përbëjnë mbi 90 për qind të rezervave të përgjithshme dhe radhitet në vendin e 14-të me 382 tonë.

Shqipëria renditet e 93-ta me 1.6 ton, që përbëjnë 3.4 për qind të rezervave të saj.