Monedha e përbashkët europiane u forcua ndjeshëm ditën e hënë, përballë paundit britanik, dollarit amerikan dhe jenit japonez.
Rritja e euros u inkurajua nga marrëveshja e arritur për buxhetin e përbashkët europian dhe samiti i ardhshëm i Brukselit, dy ngjarje që duket se kanë rikthyer besimin e investitorëve tek ekonomia e eurozonës. Në gjashtë muajt e fundit, euro është rritur me 6% në krahasim me mesataren e monedhave të tjera të mëdha ndërkombëtare.
Megjithatë, ministri francez i Financave u shpreh i shqetësuar për këtë zhvillim dhe kërkoi masa për vendosjen nën kontroll të forcimit të euros.
Pierre Moscovici theksoi se një monedhë e fortë do të bëjë mallrat europianë më pak të konkurrueshëm në botë, në një moment kur rritja e eksportit konsiderohet një element përcaktues për zgjidhjen e problemeve ekonomike në Europë.