INDI- Janë të paktën 36 pelegrinë që kanë humbur jetën ditën e dielë në Allahabad (Indi) në kohën që po prisnin një tren që do t’i çonte në shtëpi pas zhytjes masive në ujërat e Gange.
Një platformë u shemb nga mbipopullimi i njerëzve duke shkaktuar tragjedinë në një ditë feste për indianët.
Fillimisht u raportua për 20 viktima, por bilanci u rëndua pasi të plagosurit e transportuar në spital nuk mbijetuan dot.
Ministri i Hekurudhave indian, Pawan Kumar Bansal, tha se “në platformë kishte shumë njerëz”.
Viktimat ishin mes 30 milionë hinduve që po ktheheshin pasi morën pjesë në Kumbh Mela dhe shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë.
Kumbh Mela festohet çdo 12 vjet në Indi dhe pret 100 milionë “notarë” duke u cilësuar si mitingu më i madh në botë.
Hindutë mendojnë se një zhytje bashkarisht në lumë i pastron nga mëkatet dhe sjell shpëtimin.