TIRANE– Opozita ka braktisur sot Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohej nen për nen projektligji për Inspektimet ndërsa mbledhja është shoqëruar me debate nga të dyja palët.

Deputeti i PS-së Pandeli Majko ka deklaruar se mazhoranca nuk ka sjellë asnjë ndryshim të projektligjit prandaj ai nuk mund të diskutohet në komisionin e ligjeve.

“Mazhoranca nuk ka sjellë asnjë propozim. Ligji ka rënë me këtë që po bëni. Ky është një diskutim i paprecedentë pasi kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë. Këtu bëhet fjalë për ndryshime thelbësore prandaj dhe nuk mund të vazhdohen diskutimet. Ju kërkuam të sillni ndryshimet, ju nuk e bëtë, nuk mund të vazhdohet mbledhja kështu” ka theksuar Majko ndërsa më pas deputetët socialistë janë larguar nga mbledhja.

Ndërkohë kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli ka deklaruar se kërkesa e opozitës për ligjin është diskutuar mbledhjen e kaluar. Sipas tij është Kuvendi ai që vendos nëse do ta ndajë paketën në ligje apo jo.

Ndërkohë në mbledhjen e kaluar deputetët socialistë kërkuan kthimin e ligjit me arsyetimin se ligjet nuk mund të shqyrtohen si paketë por vetëm një nga një. Sipas socialistëve paketa duhet të ndahet në 77 ligje pasi shqyrtimi i saj në këtë mënyrë është i paligjshëm.