RUSI– Ai është njëri nga krerët e opozitës ruse, Sergej Udalzov. Kundër tij është hapur një proces gjyqësor. Tani atij iu ndalua për dy muaj që të dalë nga shtëpia.

Sulmi i fundit për kritikun e famshëm të Kremlinit erdhi nga gjykata e qarkut të Moskës. Kjo gjykatë urdhëroi një arrest shtëpiak prej tetë javësh për politikanin e opozitës së majtë. Si argument u tha se Udalzovi pati shkelur rregullat. Veç kësaj ekziston rrezik që ai të arratiset. Gjykata ndoqi me këtë kërkesën e Komisionit hetimor me shumë ndikim, i cili është nën varësinë e drejtpërdrejtë të presidentit Putin.

Udalzovit në këtë mënyrë nuk i lejohet deri në 6 prill që të përdorë as telefonin dhe as internetin. Veç kësaj atij nuk i lejohet të marrë dhe të dërgojë asnjë letër dhe nuk i lejohet të dalë nga apartamenti i tij, pa lejen e autoriteteve, bëri të ditur një zëdhënës i drejtësisë.

Motive politike

Udhëheqësi i opozitës foli për një arrest me motive politike. "Unë nuk kam shkelur asnjë rregull, drejtësia synon të më izolojë nga jeta publike, kritikoi 35 vjeçari. Vendimi është "pjesë e një fushate" kundër opozitës liberale në Rusi. "Disa i burgosin, të tjerë i diskreditojnë", u ankua ai.

Kundër shefit të Frontit të Majtë është hapur që në tetor të vitit të kaluar një proces gjyqësor me akuzën "përpjekje për përmbysje të dhunshme". Po të dënohet, atë e presin deri 10 vjet burg. Udalzovi e kundërshton edhe këtë akuzë. Aktivisti është njëri nga opozitarët, të cilët nxitën protesta masive në prag të bërjes së betimit nga Putini për mandatin e tretë në post. Në vitin 2011, Udalzovi ishte njëri nga nxitësit e demonstratave kundër ish-kryeministrit Putin. Për këtë arsye ai ka qenë disa herë në burg.