PRISHTINE – Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), gjatë punimeve në Kajro, ka miratuar një deklaratë me të cilën u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të saj, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të marrin vendim për njohjen e shtetit të pavarur.
Në deklaratën finale të Samitit riafirmohet apeli i bërë në rezolutën e mëparshme të kësaj organizate, të miratuar në Sesionin e Ministrave të Jashtëm të OBI-të, në nëntor të vitit të kaluar, për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare.
Po ashtu, rikonfirmohet thirrja për shtetet anëtare në OBI që të vazhdojnë kontributin e tyre për fuqizimin ekonomik të Kosovës. Samiti zgjodhi sekretarin e ri të përgjithshëm të kësaj organizate, sauditin Iyad Al-Madani, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën në vitin 2014.
Këtë deklaratë e ka përshëndetur menjëherë shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, i cili i ka uruar sukses edhe Al-Madanit në postin e sekretarit të ardhshëm. Sipas komunikatës së MPJ-së, Hoxhaj i ka adresuar mirënjohje të posaçme sekretarit të përgjithshëm aktual të OBI, turkut Ekmeleddin Ihsanoglu.
Organizata e Bashkëpunimit Islamik (më parë e quajtur Organizata e Konferencës Islamike) është organizata e dytë më e madhe ndërkombëtare (pas Kombeve të Bashkuara) dhe përfshin në gjirin e saj 57 shtete nga katër kontinente. Deri më tani Kosovën e kanë njohur 31 vende nga OBI.