ANGLI – Një student i shkëlqyer që ëndërronte të bëhej veteriner vrau veten dy javë pasi babai i vajzës me të cilën ishte i dashuruar i ndaloi ta shihte atë. Mjeku ligjor që ekzaminoi trupin e 18 vjeçarit Joshua Bazeley deklaroi se i riu zgjodhi t’i jepte fund jetës, pas dëshpërimit që provoi nga ndarja me të dashurën e tij, Hannah Kinston.

Ditën kur studenti i dha fund jetës kishte mësuar se ish e dashura e tij kishte nisur të dilte me një mashkull tjetër. Një hetim policor ka vënë në dukje se i riu ishte nxënës i shkëlqyer dhe po bëhej gati të niste Kolegjin Mbretëror të Veterinarisë, por vdekja e tij korrikun e vitit të shkuar i dha fund ëndrrave të Joshua-s. 

Sipas policisë britanike Joshua Bazeley ishte njohur me Hannah në muajin shkurt, kur kishte nisur të punonte në fermën e babait të saj. Kur i ati i Hannah kishte marrë vesh për marrëdhënien e së bijës me punonjësin e tij ai kishte urdhëruar të rinjtë t’i jepnin fund lidhjes. 

Babai i Hannah e kishte kuptuar lidhjen mes të rinjve për shkak të vlerës së lartë të faturës telefonike të së bijës. Ndarja me Hannah rezultoi mjaft dëshpëruese për 18 vjeçarin Joshua. Por ndarja e 30 qershorit u bë më e rëndë, kur një mik i tha në Facebook të riut se ish e dashura e tij e kishte harruar dhe tani kishte nisur një histori të re.