TIRANE – Lëvizja Socialiste për Integrim,  ka theksuar se reforma primare e kësaj force politike është punësimi. Në një konferencë për shtyp, nënkryetarja e LSI-së, Klajda Gjosha, u shpreh, se LSI vlerëson çështjen e punësimit si një ndër prioritetet kryesore të shoqërisë tonë për zhvillimin dhe integrimin e individit dhe vendit.

“Në respekt të gjithë nismave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për favorizimin  e politikave lehtësues mbi hapjen e vendeve të reja të punës, theksojmë faktin se jemi në një moment të rëndësishëm si fillim viti, ku ende mund të fokusojmë ndarjen e buxhetit në favor të punësimit. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet e fokusuar në punësimin e të rinjve, të grave dhe vajzave dhe të gjithë shtresave në nevojë. Ndaj arsimi profesional, nxitja e sipërmarrjes së biznesit nga gratë nëpërmjet trajnimeve të shumta dhe politikave lehtësuese ka qenë kryefjalë e punës tonë por njëkohësisht ne kërkojmë mbështetjen e të gjitha institucioneve përkatëse për t’i drejtuar prioritetet e tyre drejt fenomenit të punësimit”,- tha Gjosha.

Sipas saj çdo hapje e re e një vendi pune, çdo mundësi punësimi për të rinjtë, kryefamiljarët dhe për cilindo pjesëtar të familjes, do të thotë të dhurosh lumturi e buzëqeshje në familjen shqiptare.