TIRANE – Eseja e fundit 'Shqiptarët' është një kontribut vetjak i historianit të njohur zviceran Jens Schmitt për të hedhur dritë mbi historinë e shqiptarëve. E konceptuar në këtë mënyrë, ajo ka pasur si qëllim kryesor vendosjen në një rrafsh ballkanik të historisë së shqiptarëve. "Unë shpresoj se ky studim do të konsiderohet për çfarë ai përfaqëson: një përpjekje për t'ju përgjigjur pyetjeve shkencore. Fatkeqësisht, ky lloj studimi është për momentin paksa i vështirë në Ballkanin shqiptar për shkak të politizimit të tij. E nuk është vetëm teoria shqiptare e vazhdimësisë iliro-shqiptare, por është gjithashtu edhe mohimi i autoktonisë shqiptare në Ballkan nga grupe nacionaliste në vendet fqinje", përgjigjet ai ekskluzivisht për "MILOSAO".
Intervista ka marrë shumë kohë. Është konceptuar, është drejtuar, është marrë, është përkthyer dhe sërish është kthyer pas për korrigjime.
Z. Schmitt, faleminderit që pranuat të intervistoheshit nga ne. "Shqiptarët" tuaj, ende nuk kanë pasur përballje "të egër" nga kritika shqiptare, siç ndodhi me "Skënderbeun". Megjithatë, thjesht nga tharmi i saj besohet se do ketë "probleme". Ju kanë shqetësuar këto reagime zakonisht?
"I gjithë debati prej publikimit të 'Skënderbeut' shpalos modele shumë komplekse të interesave politike dhe kulturore. Unë nuk kam ndërmend të komentoj shumë rreth kësaj sepse mendoj që publiku shqiptar është i familjarizuar me momentet kyçe të diskutimit si dhe motivet dhe interesat e tyre. Por unë mbeta shumë i habitur nga fushata ekstremisht agresive kundër mikut tim të ndjerë Ardian Klosi. Mendoj se brezat e ardhshme të studiuesve e intelektualëve do të jenë në gjendje të gjykojnë si duhet mbi integritetin moral të atyre pjesëtarëve të elitës politike dhe veçanërisht asaj kulturore të cilët e 'sulmuan' këtë njeri të madh kur ishte gjallë dhe pastaj e nderuan kur ai vdiq".
Ka pasur gjithmonë teori të historianëve shqiptarë për vijimësinë iliro-shqiptare. Si e shikoni juve personalisht këtë vijimësi, të argumentuar apo hipotetike?
"Së pari, dua t'ju bëj një vërejtje, e cila ka të bëjë me të gjithë intervistën: pyetjet që ju bëni janë shumë komplekse dhe është shumë e vështirë që ato të zvogëlohen në përgjigje të shkurtra. Unë, gjithsesi, do të përpiqem të kujtoj lexuesin se nuk ka përgjigje të thjeshta, dhe shumë probleme janë akoma të diskutueshme e shumë përgjigje nuk mund të jenë më shumë se komente hyrëse për këto debate studimore. Jam përpjekur të shpjegoj ne libër qëndrimin e sotëm të studiuesve të huaj. Ekziston një konsensus për sa i përket teorisë së vazhdimësisë Iliro-Shqiptare, sipas të cilës kjo vijimësi nuk mund të provohet për shkak të mungesës së gjurmëve të mjaftueshme të gjuhës ilire. Po ashtu ekziston një konsensus mbi proto- shqiptarët, një term përcaktues për të përshkruar folësit e formës së lashtë shqiptare – që jetonin atëherë në Antikitet në një zonë, e cila përmblidhej nga zona e hinterlandit të Shkodrës e deri në Kosovën e sotme dhe Maqedoninë Qendrore. Qarkullojnë ide të ndryshme rreth vendndodhjeve të proto-shqiptarëve në zonën e Jugut të Shqipërisë së sotme. Kështuqë, kur mendoj mbi baza të tilla se shqiptarët jetuan në Antikitet në shumë nga zonat ku ata gjenden akoma dhe sot, unë mbështes edhe mendimin e linguistëve, të cilët e konstatojnë thjesht se ne nuk mund të provojmë që gjuha moderne shqiptare vjen nga ilirishtja, pasi ne nuk e njohim aq mirë sa duhet atë. Mund të ekzistojë një vazhdimësi iliro-shqiptare, por për momentin ku ndodhen kërkimet tona, kjo është vetëm një hipotezë. Por siç e theksova, emri i paraardhësve të shqiptarëve modernë dhe pyetja se ku ata janë vendosur duhet të ndahet në dy pyetje të ndryshme. Duhet të theksohet, se ka akoma nevojë të vazhdohet të bëhen kërkime e veçanërisht mbi toponimet. Së fundmi, unë shpresoj se ky studim do të konsiderohet për çfarë ai përfaqëson: një përpjekje për t'ju përgjigjur pyetjeve shkencore. Fatkeqësisht, ky lloj studimi është për momentin paksa i vështirë në Ballkanin shqiptar për shkak të politizimit të tij. E nuk është vetëm teoria shqiptare e vazhdimësisë iliro-shqiptare, por është gjithashtu edhe mohimi i autoktonisë shqiptare në Ballkan nga grupe nacionaliste në vendet fqinje. Teoria e ilirëve apo origjina pellazge e shqiptarëve u zhvillua në shekullin e 19-të nga pjesëtarët e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, konsideruar si një përgjigje direkte kundrejt pretendimeve të nacionalistëve grekë dhe serbë, të cilët i justifikonin pretendimet territoriale me argumentin se Shqipëria ishte një komb pa histori. Por megjithëse grupe nacionaliste në Greqi dhe në Serbi akoma vazhdojnë të qëndrojnë mbi këto ide, duhet nënvizuar se studiuesit jashtë Ballkanit nuk i marrin seriozisht këto pretendime. Vetëm se për sa kohë shumë anëtarë të elitës shqiptare, e diskutojnë temën e vazhdimësisë si një çështje politike dhe jo një çështje shkencore dhe për sa kohë nuk ekziston vullneti për të analizuar mënyrën se si kjo teori doli në pah në shekullin e 19-të dhe 20-të etj, dhe për sa kohë flitet për të 'vërteta' historike, dhe jo përgjithësisht për rezultate të proceseve politike, sidomos të politikës shtetërore të Shqipërisë enveriste, ku i tërë ky problem nuk mund të diskutohet asfare në një mënyrën të pastër shkencore".
A ka një lulëzim të qytetërimit shqiptare në shekujt XII-XIII. Cilat ishin kushtet që e ndihmuan këtë?
"Nuk mendoj se termi 'Civilizimi shqiptar' është i përshtatshëm për këta shekuj. Duhet të jemi në gjendje të bëjmë dallimin midis formave jetëshkurtra politike shqiptare në hinterlandin malor të Durrësit, i cili shërbeu në fund të shekullit të 11-të qoftë si një rrugëdalje e autoritetit bizantin, vendosur në bregdet, por në fillim të shekullit të 13-të, doli gjithashtu nga mbetjet e Perandorisë Bizantine mbas Kryqëzatës së Katërt (1204). Nuk gjenden gjurmë të një civilizimi specifik shqiptar të sensit etnik, sipas koncepteve në zonën e Shqipërisë moderne, por shihet një lulëzim i kulturës bizantine në Shqipërinë Qendrore dhe atë Jugore ndërsa në Veri kultura urbane është po kështu impresive: njerëz që flisnin gjuhën shqipe jetuan në të dyja këto zona kulturore.
Më tej akoma, të dyja kulturat si ajo bizantine dhe adriatiko-katolike nuk ishin monoetnike, por përfshinin grupe linguistike të ndryshme: Shqiptarë, Sllavë të Jugut, Dalmatë Romanikë dhe Vllehë në veri, Shqiptarë, Grekë, Vllehë në Jug. Veçanërisht Bizanti ishte një perandori shumë-etnike ku Ortodoksia shërbente si një lidhje e përbashkët midis grupeve të ndryshme linguistike. Duhet theksuar se veçanërisht kultura urbane nga Durrësi e shtrirë deri më poshtë në jug e përbënte deri në fund të shekullit të 13-të shumë të përfaqësuar elementin grek; edhe njëherë 'Grek' do të thotë grekofonët ortodokse njerëzit e qytetit, të cilët ishin shtylla kurrizore e kulturës Bizantine në vendet e ulëta dhe në bregdet".
Ju i keni kushtuar "Skënderbeut", një punë shumë të madhe. Mendoni se i ka plotësuar parametrat tuaj? Dhe, botimi juaj i fundit "Shqiptarët", a i plotëson kërkesat tuaja për ta vendosur ashtu si duhet historinë shqiptare në një kuadër ballkanik?
"Te dy librat kanë sfond të ndryshëm. 'Skënderbeu' është rezultat i shume viteve kërkime arkivash, ndërsa 'Shqiptarët' është një ese historike, e cila përpiqet të na japë një perspektivë të re alternative në historinë shqiptare. Si një ese, ky libër mbështetet vetëm pjesërisht në kërkimet e mia personale, ndërsa me shumë mbështetet në veprat e atyre historianëve, emrat e të cilëve i kam cituar në hyrjen e librit. Libri u shkrua për një shtëpi botuese të madhe gjermane, e cila dëshironte një hyrje në historinë Shqiptare për lexuesit në botën gjermano-folëse. Lexuesi shqiptar do të njihet me shumë detaje, por ndoshta jo me prezantimin dhe interpretimin e tyre. Unë doja të paraqisja historinë shqiptare si një histori të hapur, në kuptimin që shqiptarët nuk ishin të izoluar nga fqinjët e tyre siç shkruanin historianët enveristë – duke e modeluar historinë e tyre në realitetin ekstrem të Shqipërisë enveriste – por që historia e Shqipërisë është shumë më e pasur dhe me shumë më tepër ngjyra se rrëfimi standardi monolitik, i cili është i prodhuar nga Akademia Shqiptare. Historia e Shqipërisë, ashtu si ajo e Ballkanit, nuk është përshfaqur si një Ballkanike: por theksohet se kjo histori ndërvepron, fqinjëron, shpesh herë është në simbioza me ata që e rrethojnë si grekët, sllavët apo vllahët. Historia e Shqipërisë nuk është 'rrethuar' nga armiqtë e përjetshëm, por ka qenë një tendosje historie komplekse nga tiparet social-kulturore të përbashkëta të njerëzve në Ballkan e deri tek izolimi etno-kombëtar kryesisht në shekullin e 20-të dhe 21-të, kështu që konfliktet midis vendeve dhe kombeve duhet të përshkruhen në periudhën në të cilën ato ndodhën,por ato nuk duhet të projektohen në një të shkuar të largët kur këto lloj konfliktesh nuk ekzistonin, pra tensione etno-kombëtare midis shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre".
Historianët shqiptarë e kanë ndarë historinë tonë në katër vëllime, që përfshijnë po katër perioda kohore shumë konvencionale. E shihni të drejtë këtë ndarje dhe pse e shmangët në librin tuaj?
"Mendoj se ka gjithmonë qasje të ndryshme për çdo objekt shkencor. Shqipëria është një nga shtetet e fundit në Evropë së bashku me Rumaninë apo Maqedoninë – ku institucionet shtetërore si Akademitë, akoma prodhojnë një lloj historiografie zyrtare apo gjysmë zyrtare. Një model i tillë nuk gjendet as në Francë, Gjermani apo Angli apo në SHBA. Në Shqipëri, historia, është e perceptuar nga shtresa të gjera të shoqërisë, ende si një pasardhëse e kohëve komuniste dhe si një detyrë e autoriteteve zyrtare. Qasje alternative apo këndvështrime të reja shihen si pasojë një kërcënim potencial i interpretimit zyrtar. Struktura me katër volume e historisë reflekton një shkrim tradicional, i cili ndjek shtetin si model teologjik, ku apogjeu i historisë së Shqipërisë konsiderohet themeli i shtetit kombëtar në 1912. Krijimi i shtetit është elementi kyç i këtij narracioni, e kjo është arsyeja pse kjo ndërtoi traditën e shtetit në Antikitet dhe në kohët e Mesjetës, duke dhënë një imazh negativ të gjitha periudhave "të pushtimeve të huaja" (kryesisht atij Osman) dhe fokusohet në shumë detaje në Lëvizjen Kombëtare dhe në shtetin kombëtar. Veçanërisht për periudhën komuniste nuk ka konsensus në interpretim – kjo është arsyeja që kapitulli i katërt shmang në titullin e tij termat ' komunist' apo 'socialist' duke përsëritur termin politik neutral ' periudha e pasluftës'. Nëse dikush do përdorë koncepte të tjera për të analizuar historinë e Shqipërisë – kulturën, shoqërinë, hapësirën – ai domosdoshmërish duhet të përdorë korniza të tjera kronologjike. Qasje te tjera në rastin më të mirë janë plotësuese, ato nuk përjashtojnë njëra-tjetrën por nuk ka vetëm një variant të historisë. Unë mendoj se kryesore është që historianët duhet t'i shpjegojnë publikut të gjerë që qasjet e ndryshme na çojnë tek historia, dhe jo një interpretim i institucioneve shtetërore. Dhe ato mund të shpjegojnë programin e tyre shkencor dhe jo thjesht të fillojnë me periudhën e Paleolitike. Një shoqëri e përcaktuar si pluraliste nuk mund të ketë vetëm një variant të vetëm të historisë, pasi një historiografi e mirë, të paktën, përpiqet të kapë tendencat e reja të kërkimit. Kurse të katër volumet e historisë nuk i reflektojnë këto zhvillime moderne në disiplinën e historisë, dhe druhem se shumë historianë evropianë do të kishin probleme me një koncept të tillë si historiografia tradicionale kombëtare".
Si e shikoni periudhën e pushtimit turk në Shqipëri? A e shikoni elementin shqiptar që kundërshtoi prej nacionalizmit apo thjesht prej kushteve ekonomike dhe marrjes në ushtri?
"Ky është një diskutim kyç në shoqërinë shqiptare dhe historiografinë e saj, dhe është fatkeqësi që Turqia ndërhyri së fundmi në diskutime të tilla duke i imponuar Republikës së Kosovës një komision miks për rishikimin e teksteve të historisë në shkolla. Nuk ka dyshim që rrëfimi tradicional zyrtar shqiptar e paraqet Perandorinë Otomane me ngjyra të errëta. Ai fokusohet shumë në kryengritjet dhe shumë pak ka shpjeguar rolin që myslimanët shqiptarë luajtën në Perandori që në fillimet e hershme. Ne fakt, armiqtë më të rrezikshëm të Skënderbeut ishin shqiptarët, të cilët ishin të konvertuar në Islam.
Një rishikim i këtij imazhi shumë të keq megjithatë nuk duhet të na çojë tek një idealizim jokritik i Perandorisë Otomane, një tendencë kjo e mbështetur shumë nga zyrtarët e sotëm politikë turq.
Sundimi Otoman zgjati për pothuajse 500 vjet, dhe përgjatë kësaj periudhe të gjatë, pjesë të tëra të Shqipërisë ishin plotësisht të shkatërruara (tokat e Skënderbeut më 1460-ën, Shqipëria Venetike), ndërsa e njëjta pjesë u shndërrua më vonë në një qendër të shndërritshme të perandorisë Otomane (hapësira e Shkodrës), apo nuk ka asnjë dyshim që qytetet si Elbasani arritën kulmin e zhvillimit urban dhe jetës së qytetëruar në shekullin e 17-te nën sundimin Otoman; nuk ka po ashtu dyshim që perandoria joshi një numër të madh të myslimanëve shqiptarë të cilët shtuan radhët e elitës perandorake: si dhe nuk ka asnjë dyshim se shumica e shqiptarëve suni i qëndruan besnikë Perandorisë deri në fund. Në anën tjetër, shoqëria shqiptare ishte shumë e tronditur nga pushtimi Otoman – të ndërruarit e etnisë nga Arbër në Shqiptarë është prova e një ndryshimi të thellë mentaliteti. Kryengritjet të cilat në historiografinë tradicionale janë të theksuara si shenjë e një kundërshtimi të vazhdueshëm veçanërisht në zonat malore, një zemërim i cili kishte të njëjtat arsye edhe si në pjesët e tjera të Ballkanit, ishin thjesht lokale ose rajonale dhe deri në shekullin e 19-të nuk ishin kombëtare. Islamizimi në shkallë të lartë mund të ndiqet hap pas hapi në zona të ndryshme të Shqipërisë, por nuk ka akoma një shpjegim të njëzëshëm për faktin që asnjë grup tjetër etnik në Ballkan ta ketë përqafuar Islamin në një përqindje kaq të madhe, ashtu siç e bënë shqiptarët. Kështu që pati integrim në sistemin Otoman – ku shqiptarët e besimit mysliman suni ishin shtylla e Perandorisë – dhe distancë politike drejt të njëjtës perandori në të njëjtin ambient mysliman suni. Babai i Ahmet Zogut e shpreh shumë bukur, kur i shpjegon një diplomati Austriak në fillim të shekullit të 20-të, që zona e Matit është plotësisht besnike e Sulltanit me kushtin që shteti Otoman nuk do të ndërhynte në çështjet lokale. Në shekullin e 19-të, shqiptarët ishin disi shpejt të ndikuar nga ideja e një shteti autonom brenda perandorisë Otomane; mbas pavarësisë së Greqisë në 1830 apo dhe si një reagim i kundër reformave në perandorinë Otomane, ku rebelët e Shqipërisë së Jugut formuan 30-35 vite më parë se 1878, qëllimin e një Shqipërie autonome brenda perandorisë Osmane politike. Unë mendoj se të gjitha këto shembuj tregojnë se është e vështirë të paraqesim një imazh të thjeshtë të shqiptarëve në perandorinë Osmane: Sunni-të, Bektashinj-të, anëtarët e urdhrave të tjerë dervishë, Ortodoksët dhe shqiptarët katolikë, fusharakët dhe malësorët, njerëzit e qyteteve dhe fshatarët, Shqiptarët në diasporë dhe brenda perandorisë Otomane, të shkolluar dhe analfabetë, kishin në periudha të ndryshme pozicione shumë të ndryshme në perandorinë Otomane. Dhe, asnjë nuk ka kundërshtuar që deri në shekullin e 20-të nuk kishte një hapësirë kombëtare të komunikimit shqiptar; shoqëria ishte kryesisht lokale, në rastin më të mirë rajonale, ashtu si në pjesët e tjera të Ballkanit ku pothuajse nuk kishte rrugë, hekurudha, telegrafe, jo sistem shkollor koherent dhe një rend publik shumë i dobët. Një histori shkencore e perandorisë otomane duhet të analizojë një sërë faktorësh lokalë, socialë, fetarë, kulturorë, si dhe modelin politik që ndryshoi për gjysmë mijëvjeçari.
Një qasje tjetër do të ishte diskutimi i trashëgimisë së shtetit otoman më 1912-tën; pothuajse një vend pa infrastrukturë, një traditë shumë e dobët në pjesëmarrje politike, institucione shumë të dobëta shtetërore, zona të mëdha që nuk ishin të integruara në administratën shtetërore që nuk paguanin taksat rregullisht, nuk e njihnin fare ligjin shtetëror (kryesisht në zonat malore),me një numër shumë të madh analfabetësh, diferenca sociale shumë të dukshme, integrim të dobët të kristianëve në administratën shtetërore. Kështu që mendoj se është krejt e qartë që nuk ka një lloj imazhi bardh e zi të perandorisë Otomane dhe që nuk mund të bëjmë një vlerësim kritik në cilësinë e një sistemi thjesht të mirë apo të keq".
Shqiptarët, në disa këndvështrime mbahen si popull jo fetar. Kurse ju mendoni se shqiptarët u islamizuan në thelb dhe janë fetarë. Cilat janë shpjegimet tuaja për ta përshkruar si popull fetar, popullin shqiptar?
"Sapo vlerësova që shqiptarët nuk janë një përjashtim- ka njerëz që besojnë dhe që nuk besojnë ashtu si në vendet fqinje. Unë jam paksa dyshues për sa ka të bëjë me idenë që shqiptarët janë shumë më tepër tolerantë dhe më shumë indiferentë në besimin fetar se popujt e tjerë. Ka fenomene sinkretike si p.sh Myslimanët dhe Kristianët bëjnë pelegrinazhe në të njëjtën vend të shenjtë, bëjnë nderimin e të njëjtëve shenjtë, Myslimanë që adoptojnë praktikat popullore Kristiane, megjithëse fenomeni i Kriptokristianëve ekzistonte po ashtu dhe diku tjetër në Ballkan dhe në Anadoll. Aktivistët e Rilindjes përshfaqën idenë e tolerancës fetare dhe indiferencës për të ngushtuar boshllëkun e madh midis shqiptarëve Myslimane dhe ata Kristianë; por dëshmi për tensione midis shqiptarëve myslimanë dhe kristianë ka tepër shumë; nëse do ti hidhni një sy të dhënave. p.sh raportet e konsujveaustriak që nga fundi i shekullit 19-të në Kosovë janë plot me detaje rreth dhunës së Myslimanëve shqiptarë kundër katolikëve shqiptarë; po ashtu në Kosovë Myslimanët shqiptarë thoshin që Guvernatori Otoman ishte thjesht i çmendur kur ky i fundit shpalli që Myslimanët dhe Kristianët do të trajtoheshin njëlloj në drejtësinë shtetërore. Por Lëvizja Kombëtare ia doli të kishte sukses në bindjen e shumë shqiptarëve se shteti duhet të mbizotërojë mbi bashkësitë fetare, nga impresioni i të qenit të kërcënuar nga serbët, malazezët dhe nga ekspansioni Grek që kontribuuan shumë në suksesin e këtij koncepti. Shkolla shtetërore dhe propaganda shtetërore, armiqësia ekstreme e regjimit komunist kundër besimit fetar ndihmuan të përhapej masivisht ideja, e cila sot është e pranuar gjerësisht si një element thelbësor në identitetin kombëtar. Një perspektivë kritike nuk e mohon këtë fakt, por e vendos nevojën e rishikimit të këtij fenomeni në një perspektivë të re. Nëse historianët shqiptarë do të bënin më shumë punë krahasuese, ata do të shihnin që historia shqiptare është pak e veçantë, dhe kjo është po ashtu e vërtetë edhe për historinë e besimeve fetare. Madje dhe nga periudha midis 1968 dhe deri në 1991, shumë shqiptarë mbetën besimtarë dhe praktikuan ritet e tyre në mënyrë të fshehtë. Në përgjithësi, është për t'u vëzhguar – dhe ky vëzhgim është i vërtetë për shumë nga historianët, të cilët studiojnë historinë e tyre e që shumë shpesh janë të përqendruar në çështjen e tyre kombëtare dhe e zmadhojnë veçorinë e kombit të tyre. Kështu që krahasimi do të ishte shumë i vlefshëm për një kuptueshmëri më të mirë të historisë kombëtare".
Si e shikoni përfytyrimin shqiptar për një hapësirë kompakte shqiptare në shekujt e shkuar?
"Gjithë lëvizjet kombëtariste synojnë për një territor kompakt kombëtar dhe pothuajse pa asnjë përjashtim ato e projektojnë këtë ideal që nga e shkuara. Ne dimë se ideja e kombësisë homogjene ka shkaktuar luftëra të tmerrshme, miliona viktima dhe shkatërrime të rajoneve te mëdha; p.sh., shembulli i fundit ishin luftërat në ish- Jugosllavi. Nacionalizmi shqiptar, po ashtu, ëndërroi për një Shqipëri të madhe homogjene; megjithëse në fund të shekullit të 19-të, kjo ishte Shqipëria e katër vilajeteve. Anipse, megjithëse Shqiptarët jetuan në këto katër vilajete, (dhe në pjesë të tjera të perandorisë Otomane – bashkësia më e madhe shqiptare, Stambolli, nuk ishte pjesë e këtij vizioni hapësinor), ata nuk ishin të kudondodhur në shumicën etnike; konstelacioni etnik përpara 1912 ishte shumë kompleks, identitetet kombëtare (p.sh në jug të Shqipërisë/ Epiri në pjesët Ortodokse) dukeshin ende.
Mendoj se modeli i Jakob Filip Fallmerayerit, të cilin e kam përdorur në librin tim, është shumë i vlefshëm: ai ndërtoi një zonë qendrore me një shumicë shqiptare të pastër: kjo ishte bërthama historike e quajtur Shqipëri, e thënë rëndom territori i Shqipërisë moderne; ekziston dhe zona më e madhe, e dyta në Ballkan, ku shqiptarët u vendosën me dendësi të ndryshme, një zonë e cila historikisht nuk u quajt Shqipëri (Kosova, Maqedonia, Lugina e Moravës së Sipërme, por gjithashtu dhe fshatrat shqiptare dhe të vendosurit në Bosnje, Serbinë Qendrore, Bullgari, Trakë, Greqi dhe së fundmi në Stamboll si qendra më e madhe urbane e Shqiptarëve në Perandori). Unë mendoj se duhet të punojmë me modelin hapësinor, i cili është i hapur; Historia e Shqipërisë nuk është thjesht shtesa e Shqipërisë plus Kosova, plus Shqiptarët në Maqedoni. Historia e Shqipërisë është po ashtu historia e Ballkanit, në kuptimin që nuk mund të përjashtohen shqiptarët që jetojnë në pjesë të tjera të Ballkanit. Kjo histori, megjithatë, nuk mund të jetë e izoluar, ajo duhet të fokusohet në njëtrajtshmërinë e shqiptarëve me fqinjët. Kjo sigurisht që është një sfidë për historiografinë sepse po ashtu historiografitë fqinje p.sh në Greqi apo Serbi më shumë fokusohen 'në popujt e tyre' dhe injorojnë komunitetet e tjera. Historiografia duhet të shpëtojë nga burgu i izolimit kombëtar; pra duhet të studiohet grupi juaj por pa eliminuar fqinjin tuaj nga historia".
Kosova përbën një fushë shumë të ngatërruar studimi mes serbëve dhe shqiptarëve. Si e shikoni autoktoninë e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe pretendimet për vjetërsinë shqiptare në Kosovë?
"Së pari, i tërë diskutimi ka dhe njëherë tjetër, dy nivele. I pari është fatkeqësisht jo shkencor, shumë i politizuar dhe emocional. Ka një kërkesë të madhe për të vërteta të thjeshta dhe pozicione maksimaliste, në kuptimin ku shumë serbë tolerojnë vetëm adoptimin e plotë të perspektivës së tyre, dhe shumë shqiptarë sillen në të njëjtën mënyrë. Nuk është frytdhënëse nëse kërkimi dhe pasioni kombëtar ngatërrohen kaq fort. Së dyti, niveli i kërkimit shkencor, është, përsëri, kompleks. Megjithëse nacionalistët në të dyja krahët pretendojnë se njohin të vërtetat e tyre dhe sulmojnë këdo, që nuk ka të njëjtin mendim, ne duhet të pranojmë se sot ka vetëm pak studime të paanshme e të kuptueshme në historinë demografike të zonës. Të dyja palët përshkruajnë se pala tjetër është ajo Barbare që erdhi së fundmi dhe shkatërroi një shoqëri në lulëzim. Ngjashmëria në sulme ka dhe ne tekstet e shkruara: për shqiptarët, barbarët paganë serbë shkatërruan provincën kristiane të Dardanisë dhe shkatërruan civilizimin e tij Roman: Serbët kështu shihen si rreziku që vjen nga Lindja; për Serbët, malësorët e egër shqiptarë myslimanë në shërbim të perandorisë Otomane sollën kaos në tokat me kulturën serbe- në këtë rast, shqiptarët janë njerëzit e pa civilizuar nga Lindja Islamike. Siç e thashë më sipër, proto-shqiptarët jetuan në Kosovë në Antikitet; me ardhjen e komuniteteve Sllave, modelet etnike pësuan një ndryshim të madh. Deri tani, ne dimë shumë pak rreth bashkekzistencës së proto-shqiptarëve me Sllavët; gjuha Shqiptare dhe toponimet janë burimet tona më të rëndësishme. Dokumentet e shekullit të 14-të dhe të 15-të qartësisht i tregojnë shqiptarët si fshatarë gjedhëritës sidomos në atë që sot është Kosova Perëndimore, por ka gjithashtu dokumente që i atashojnë shqiptarët p.sh. në Maqedoninë Qendrore. Meqë nuk ekzistojnë statistika etnike, por më shumë sepse termi i etnisë kishte një kuptim të ndryshëm në Mesjetë, është shumë e vështirë që të dimë konstelacionin etnik të Kosovës në ato kohë. Por është megjithatë mjaft e qartë – dhe kjo është theksuar nga orientalisti shqiptar Selami Pulaha, se shumica dërmuese e Shqiptarëve në Kosovë ishin Ortodoksë dhe ndiqnin ritus-in sllav1. Është shumë evidente, që nuk kishte antagonizma etnike midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Kosova ishte një shoqëri ortodokse e traditës së kishës Serbe, e përbërë nga serbët, shqiptarët dhe vllehët. Kosova ka qenë një zonë me një numër të madh emigrimesh: Shqiptarët dhe Malazezët që kthehen, Serbë dhe Shqiptarë që ikin; shumë shpesh, ky migrim ishte në shkallë të vogël- familje komplekse që migronin nga Shqipëria Qendrore dhe Veriore dhe nga Mali i Zi për shkak të varfërisë apo gjakmarrjes zakonisht nuk u regjistruan nga autoritetet Otomane. Popullsia shqiptare në Kosovë është, ashtu si Serbët e Kosovës, produkt i autoktonisë (nga Antikiteti apo Mesjeta) dhe i migrimeve; me islamizimin, u krye po ashtu një proces i shqiptarizimit të Serbëve, të cilët u konvertuan në Islam; e meqë shumica e myslimanëve ishin Shqiptarë dhe meqë ata u martuan në komunitetin e tyre fetar (jo etnik), ata ngadalë adoptuan vetveten me ambientet e reja. Raportet e konsullit Austriak në fund të shekullit të 19-të, po ashtu tregon presionin në fshatrat serbë të cilët me tej u shqiptarizuan.
Në anën tjetër, në mjedisin ortodoks, shqiptarët Ortodoksë tentonin të orientonin vetveten drejt gjuhës serbe. Të dyja proceset janë politizuar shumë, jo të paktën nga teza serbe e Arnautasi-ve, d.m.th. që pretendohet se të gjithë shqiptarët në Kosovë janë "në të vërtetë" serbët e Islamizuar dhe shqiptarizuar, gjë e cila sigurisht, nuk është e vërtetë. Por proceset e adaptimit kulturor me grupin më të fortë brenda një komuniteti fetar mund të ndeshen akoma p.sh. në Maqedoni. Edhe një herë tjetër, një lexim i kujdesshëm i burimeve tregon një situatë shumë komplekse e cila nuk korrespondon me teoritë sempliciste nacionaliste në të dyja krahët".
A e ka dëmtuar historiografia shqiptare e pasluftës së dytë botërore historinë e Shqipërisë?
"Ka prodhuar historinë e Shqipërisë. Meqë nuk kishte kërkime institucionale përpara L2B, historiografia komuniste nuk kishte kundërshtarë. Mbas 1945, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Shteti përdorte të gjitha mjetet e tij për të prodhuar dhe propaganduar versionin e tij zyrtar të së shkuarës. Fatkeqësisht, kjo ndodhte në një shtet Orvellian, ku historianët ishin thjesht mjete në duart e diktatorit, i cili personalisht diktonte linjat kryesore të interpretimit. Kjo ishte periudha ku shumë nga Shqiptarët u konfrontuan për herë të parë me historinë – e sistemi shkollor i shtetit të ri integroi për herë të parë gjithashtu fëmijë nga zonat rurale dhe familjet e varfra. Shumica e shqiptarëve besojnë se çfarë mësuan në shkollë dhe lexuan e dëgjuan në media është e vërteta e vetme. Atyre nuk ju është shpjeguar kurrë se historia u shkrua nga njerëz, të cilët ishin objekte të një programi të madh indoktrinimi dhe propagande. Vazhdimësia e elitës dhe presioni i madh politik mbi historianët bëri që diskutimi i hapur i historiografisë komuniste të ishte i pamundur. Aleks Buda, përgjegjës për shovinizmin Kombëtar-Stalinist, ashtu, sikundër Arshi Pipa vendosi 'ksenofobinë, sllavofobinë, izolimin, homogjeninë etnike dhe unitetin gjuhësor' (dikush mund të shtojë edhe grekofobinë, ortodoksofobinë po ashtu) konsiderohet akoma si një shtyllë e kulturës Shqiptare. Kritikët ose u denoncuan si jo-profesionistë (sepse ata nuk u rekrutuan në institucionet kërkimore për shkak të mendimeve të tyre ndryshe) apo si të huaj me qëllime të errëta. Këndvështrimi enverist gjendet akoma në trurin dhe shpirtin të paktën e disa njerëzve që merren me temat historike në shoqërinë që i rrethon. Vetëm disa nga intelektualët shqiptarë kanë kurajën të kritikojnë historiografinë zyrtare, apo vetëm vitet e fundit kanë treguar një tolerancë disi modeste te medias Shqiptare dhe elitës drejt këtij qëndrimi. Ashtu siç është, trashëgimia komuniste në historiografi është një pengese serioze për hapjen mendore të shoqërisë shqiptare. Për sa kohë që historianët duhet të përballën me sulme e kërcënime të forta, nëse ata formulojnë rrëfime të tjera, Shqipëria nuk mund të karakterizohet si një shoqëri liberale dhe e hapur".
Si e shikoni Shqipërinë, më afër Perëndimit apo Lindjes?
"Unë kam përdorur Lindjen dhe Perëndimin në titullin e librit tim, vetëm për të treguar kornizën kulturore në të cilën u zhvillua shoqëria shqiptare, por jo si një njësi ontologjike. Lindja apo Perëndimi janë dy terma kyç në debatin e vazhdueshëm mbi identitetin kombëtar në shoqërinë Shqiptare, por unë mendoj se pyetjet qendrore janë të tjera: a jetojnë Shqiptarët në një shtet ligjor, me institucione të besueshme shtetërore, një shkallë korrupsioni të ulët, një demokraci pluraliste, ku opinionet e ndryshme pranohen si një pjesë esenciale e jetës politike, ku kundërshtarët nuk janë 'tradhtarë' apo 'spiunë'. Unë kam përshtypjen se shumë shqiptarë do të dëshironin një model të tillë, por për shkak të vështirësive ekonomike, përpjekja e përbashkët për të mbijetuar ekonomikisht, ndikimi i kudondodhur i politikës në jetën sociale dhe politike, bën që shumë njerëz nuk e kanë fuqinë apo mundësinë të luftojnë për këto vlera. Ekziston një opozitë politike radikale, e cila megjithatë ofron më shumë slogane nacionaliste dhe demonstron një shkallë të lartë pa aftësie në çështjet e politikës ekonomike. Përveç kësaj, perspektiva evropiane e ka humbur joshjen e saj, dhe është shfaqur Turqia si një lojtar i ri. Turqia është një shtet me një numër të konsiderueshëm njerëzish të persekutuar apo të burgosur për shkak të ideve të tyre, me një media vetëm pjesërisht të lirë, ku nacionalizmi i fortë ofron një model të ndryshëm për udhëheqësit shqiptarë. Në kontekstin e Lindjes se Afërme, Turqia është një demokraci, por duke u krahasuar me shtetet e Evropës, Turqia është akoma një shtet me një demokraci në zhvillim. Për momentin, Lindja dhe Perëndimi nuk janë vetëm terma në debatin e brendshëm kulturor Shqiptar, por gjithashtu shumë mundësi për orientim politik. Shpërthimi i retorikave nacionaliste që ndodhën rreth 28 Nëntorit 2012 japin përshtypjen se liderët politikë janë më shumë të interesuar në mbrojtjen e privilegjeve të tyre duke u fshehur pas zhurmës nacionaliste- kurse pyetja themelore nuk është Lindja apo Perëndimi, por se si do arrijë Shqipëria të ndërtojë një nivel shtetëror të ndershëm dhe si do t'u ofrojë ky shtet një jetë të paqtë qytetarëve të tij".