PRISHTINE – Për shkak të dështimit të ndërtimit të shtetit mbi Planin e Ahtisaarit, vlera politike e protestës së 10 shkurtit të vitit 2007 vetëm sa është bërë aktuale, ka thënë sekretari organizativ i lëvizjes “Vetëvendosjes”, Dardan Molliqaj.
“Kjo datë (10 shkurti) është një moment vendimtar në rrafshin politik në Kosovë. Është momenti i kundërshtimit të projektit politik që e ndan Kosovën përbrenda dhe ia mohon popullit të drejtën për vetëvendosje, pra ia mohon qenien politike qytetarit të Kosovës. Demonstrata e 10 shkurtit 2007 është edhe një moment që e thekson çarjen e politikës në dysh, në atë të Planit të Ahtisaarit dhe në atë të konceptit të vetëvendosjes së popullit. Edhe pas 5 vjetësh të shpalljes së pavarësisë së Kosovës vlera politike e 10 shkurtit vetëm sa është bërë edhe më shumë aktuale, pikërisht për shkak të dështimit të ndërtimit të shtetit përmes të Planit të Ahtisaarit”,- ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka treguar se nuk është bërë asgjë në drejtim të nxjerrjes para drejtësisë të pjesëtarëve të kontingjentit rumun të Policisë së UNMIK-ut, nga të cilët kishin mbetur të vdekur në vend dy protestues: Mon Balaj dhe Arben Xheladini.