TIRANË – Ndroqi ka qenë ndalesa e radhës së kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, në turin e tij për prezantimin e programit “Për një Rilindje Shqiptare”. Gjatë takimeve që realizoi me stafin mjekësor të qendrës shëndetësore të kësaj komune të Tiranës si dhe me banorë të zonës Rama u njoh me shqetësimet e tyre dhe theksoi vendosmërinë e PS-së për të ndryshuar realitetin në sektorin e shëndetësisë. 

Sipas Ramës, duhet të ndryshojë skema e shërbimit shëndetësor tërësisht dhe ky shërbim të blihet nga shteti për t’ua ofruar falas qytetarëve.

“Duam që patjetër ta blejë shteti shërbimin. Duhet ta blejë shteti për të gjithë njerëzit dhe duhet ta japë nëpërmjet një institucioni që ne duam ta themelojmë, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor. Ajo që ndodh sot është që në 100 lekë shpenzime për shëndetësinë në një vit, vetëm 7 lekë përballohen nga kontributet e njerëzve. 33 lekë nga taksat e përgjithshme dhe gjithë pjesa tjetër nga xhepi i njerëzve të papunë. Kjo është e tmerrshme! Pra, 60 % e shpenzimeve për shëndetin në Shqipëri përballohen nga xhepi, nga borxhet, nga shitjet e pasurive, nga sakrificat e familjeve që nuk sigurohen dot se janë të papuna. Kjo duhet të ndryshojë menjëherë”,- tha Rama. 

Sipas kryesocialistit, fondet që jepen për shëndetësinë janë po ato që kanë qenë, por numri i shërbimeve dhe cilësia e tyre është ulur për shkak të abuzivizmit dhe korrupsionit me paratë e taksapaguesve.