TIRANE– Aleanca KuqeZi zhvilloi sot një takim me dhjetëra familje autoktone “tironse” në mbrojtje të vlerave, traditës, historisë, kulturës dhe trashëgimisë së kyeqytetit. Në takim u demostruan një seri faktesh dhe provash me vlerë historike për qytetin e Tiranës. Kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, ishte i shoqëruar nga familjet më të vjetra; Kazazi, Vorpsi, Hyka, Stermasi, Balla, të cilët ndan së bashku shqetësimet dhe problematikat e qytetit të Tiranës.
Në fjalën e tij, kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, shpalosi një analizë të thellë mbi zhvillimet në Tiranë dhe vizionin e Aleancës KuqeZi për kryeqytetin. Sipas Spahiut, "kjo nuk është më Tirona as e viteve ‘40, as ‘80 dhe as e shekullit të ri. As në kohën e Qazim Mulletit dhe as në kohën e Enverit, Tirona jonë nuk ka qenë kurrë më e pasigurt dhe më e rrënuar. Kur po kthehesha një ditë me disa miq amerikanw, të cilët po vinin për herë të parë në Shqipëri, avioni po ulej mbi kryqytet dhe njëri prej tyre më pyeti, mos vallë po ulemi në Bosnjë dhe ka ende bombardime lufte? Jo, – i thashë, – jemi duke u ulur në Tiranë dhe ne nuk kemi qenë në luftë”.
Amerikanëve u ngjau kryeqyteti nga lart si i bombarduar nga lufta. Kjo është Tirona dhe Tirana e PD dhe PS, të cilëve u mjaftuan 23 vite për të na e shkatëruar si kurrë më parë. As në kohën e Duçes dhe Hitlerit, Shqipëria nuk njohu një masakër urbane të tillë. Sot ende pjesa më e urbanizuar dhe me arkitekturë civile mbetet bulevardi "Dëshmorët e Kombit", që u ndërtua nga pushtuesit, sepse Tirona e jonë do njihte disa nga pushtuesit më të egër dhe më të rrezikshëm, siç ishin demokratët dhe socialistët. 23 vite do i mjaftonin Sali Berishës dhe Sali Kelmendit, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që ta shndërronin kryeqytetin e Shqipërisë në "Kabulin " e Europës. Sot pasiguria për jetën dhe pronën ka thyer çdo rekord botëror dhe historik në kryeqytet. Në Tironë jetohet mirë vetëm nëse vendos të jetosh sa më larg saj. Tirona, qyteti ku u linda dhe u rrita 43 vite, është zona më mikëpritëse e gjithë Shqipërisë, por tironcit e vjetër ndihen të neglizhuar dhe përbuzur nga të gjitha regjimet. Sot edhe Fani i vogël ka by pass dhe unazë, ndërsa Tirona jo. Në Tironë të gjithë duhet të dalin pa çanta, ora, varse, portofole, sepse në mes të rrugëve mund të grabitesh dhe humbasësh jetën. Në Tironë nuk mund të hipësh në autobus, sepse janë nën kontrollin e xhepistëve.
Sot Tirona është shndërruar disa herë me keq se Palermo e mafies së viteve ‘70. Sot në Tironë po shkallmohet çdo lulishte dhe trami apo treni nuk janë hedhur dot as në letër dhe jo më të përfundojnë. Tirana është qyteti që paguan më shumë taksa, por është më qyteti më i keqmenaxhuar. Sot në qeverinë e shtetasit Berisha nuk gjen asnjë tironc, ashtu siç nuk gjen edhe asnjë vlonjate, sepse ai e urren kryeqytetin e shqiptarëve, ashtu siç dogji qytetin e Ismail Bej Vlorës. Për demokratët dhe socialistët, Tirona është qyteti i fërgesës, ndërsa për ne si Aleancë KuqeZi këtu është metropoli i 10 milionë shqiptarëve. Shqiptarëve nga të gjitha trevat do t’u garantojmë se ky qytet me vlera dhe historia e saj do jenë krenaria e mbarë kombit shqiptar. Tironca të vjetër apo të rinj duan një qytet kuqezi", theksoi në fjalën përshëndetse kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.
Takimin e përshëndetën disa nga familjet otoktonase të cilat shprehën besimin e tyre për vizionin e Aleancës Kuq e Zi për një metropol të zhvilluar në shërbim të qytetarëve dhe jo partive të pushtetit vertikal dhe horizontal.