TIRANE– Kreu i FRD-së Bamir Topi ka deklaruar sot se rotacioni politik i zgjedhjeve të 23 Qershorit rikthehn frymën evropiane në mirqëverisje.
Në një takim me Ambasadoren e Francës Christine Moro, Topi theksoi se FRD, ndryshe nga partitë e vjetra do të japë votë të përhershme pro axhendës integruese.
“Vendi përballet me probleme të mëdha të keqqeverisjes, pushteti po e bazon fushatën jo në alternativa e llogaridhënie por në kontrollin monopol të procesit zgjedhor, por se pavarësisht psikozës së njësimit të pushteteve dhe presioneve ndaj publikut kritik, FRD ka besim të plotë se qytetaret më 23 qershor do të mundësojnë rotacionin politik dhe kthimin e frymës evropiane në mirëqeverisjen e vendit” tha Topi.
Kryetari i FRD-së shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Francës për Shqipërinë në të gjitha etapat e proceseve të tranzicionit, sidomos në drejtim të integrimit euroatlantik.
Duke folur për procesin e integrimit, Topi tha se ai dhe FRD ndajnë të njëjtat vlerësime kritike me raportet e BE-së për progresin e limituar dhe përgjegjësitë direkte të qeverisë dhe opozitës parlamentare për të gjetur gjuhën e dialogut dhe bashkëpunimit në interes të axhendës integruese.
“Për FRD është e papranueshme politika e konfliktit permanent, mosvotimi i ligjeve apo sjellje politike që cënojnë integrimin e institucioneve kushtetuese dhe besimin tek shteti i së drejtës. FRD përfaqëson një forcë politike moderatore dhe pro evropiane, e cila në cdo akt të saj, sot përmes një deputeti dhe nesër përmes angazhimit në qeverisjen e vendit do të jetë katalizator kryesor në ecurinë e procesit të integrimit. Ndryshe nga partitë e vjetra politike, FRD në çdo rast e konsideron mision, identitet të saj dhe detyrim moral votën e përhershme pro çdo ligji dhe vendimi që lidhet me procesin integrues të Shqipërisë, si dhe vendosjen e axhendës evropiane mbi çdo axhendë tjetër politike dhe elektorale” shtoi Topi.





