TIRANË- Pas deklaratës së Gjykatës së Tiranës, gjyqtarët e së cilës i quajnë ndërhyrje në një proces të ligjshëm deklaratat e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendimin e dhënë nga kjo gjykatë mbi ngjarjet e 21 janarit, vjen edhe një reagim nga politika.
Është zv/ministri i Kulturës, Nikollë Lesi i cili duke komentuar deklaratat e Gjykatës së Tiranës thekson se, “Reagimi ishte absurd dhe inatçor”.
Lesi tha më tej se ishte qeveria ajo që miratoi kërkesën për ndihmën e ekspertëve amerikanë në këtë çështje. “Të mos përsërisim me SHBA gabimet e vitit 1996”, shtoi ai.
Vendimin për të shpallur të pafajshëm të pandehurit e 21 janarit, Ambasada e SHBA-ve e konsideroi dje absurd.
Ndërsa gjykata në një reagim sot i bëri thirrje Ambasadës të mos ndërhyjë në proces e të mos paragjykojë një vendim ende të pazbardhur.