TIRANË-Ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksander Arvizu nisi sot një takim me kryeprokurorin e vendit, Adriatik Llalla. 

Takimi është zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe vjen vetëm një ditë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës, e cila u dha pafajësi të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit gjatë demonstratës së PS-së. 

Takimi vjen një ditë pas reagimit të ashpër që bëri ambasada e SHBA mbi vendimin dhënë dje për 21 Janarin. 
 

ARVIZU: NDËRHYRJA PËR TË LEHTËSUAR HETIMIN 

Pas takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla, Ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu në një prononcim për gazetarët, tha se takimi me të u zhvillua pikërisht pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, për ngjarjet e 21 janarit. 

“Para së gjithash e vlerësoj që Prokurori i Përgjithshëm vendosi të takohet me mua, e për më tepër kaq shpejt, patëm një takim të rëndësishëm, biseduam hollësisht për ngjarjet e 21 janarit e hetimet dhe morëm angazhimin se bashkëpunimi ynë me këtë zyrë do vazhdojë”, tha ai. 
Arvizu u ndal të komentojë edhe vendimin e Gjykatës së Tiranës, ndërsa nënvijëzoi se kjo nuk është një çështje amerikanë, por një çështje shqiptare dhe janë ata, sic tha ai që duhet ta cojnë deri në fund. 

“Lidhur me vendimin e gjykatës, para së gjithash dua të them se SHBA e kanë bërë të qartë që mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë tragjedi të tmerrshme ishte një hetim për atë që e shkaktoi atë ngjarje. Kemi theksuar që ky lloj hetimi duhet të ishte i besueshëm, nevojitej që të adresoheshin disa elemente, se kush e organizoi sjelljen e demonstruesve dhe gardës në fund, ky ka qënë qëndrimi ynë dhe nuk ka ndryshuar”, tha Arvizu. 

Ai tha më tej se, “Pika e dytë, ku dua të ndalem ka të bëjë me përfshirjen e ekspertëve amerikanë. Kjo cështje ka qenë dhe do jetë cështje shqiptare, nuk ka patur qytetarë amerikanë të përfshirë në ngjarje. Është kërkuar nga kryeprokurorja e atëhershme asistenca teknike amerikane, kjo është ajo që kemi bërë kemi dhënë cfarë na është kërkuar”, shtoi ai. 

Ambasadori më tej, i cilësoi të pabaza akuzat e sotme të Gjykatës së Tiranës. 

“Lidhur me deklaratën e Gjykatës së Tiranës, unë nuk bie dakord me ta se kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë buron drejtpërdrejt pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm. SHBA ka bërë ndërhyrje për të lehtësuar hetimin”, shtoi ai më tej. 

Deklarata e SHBA-së ditën e djeshme

“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011. Menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe zyrës së prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë”, thuhet në deklaratën e SHBA-ve. Në të njëjtën kohë, Ambasada Amerikane thekson se vendimi i Gjykatës së Tiranës minon besimin për gatishmërinë e Gjyqësorit shqiptar për të dhënë drejtësi. “Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”, përfundon deklarata për shtyp.