SEATTLE– Jetët e njerëzve më të varfër të botës janë përmirësuar më shpejt gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të kaluar sesa ndonjëherë më parë dhe jam optimist se do ta kemi edhe më mirë gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve në vijim. Edhe ashtu, njohuritë njerëzore po rriten. Kjo gjë mund të shihet konkretisht në shpikjen dhe uljen e çmimeve për ilaçet e reja, si ato kundër virusit HIV, ashtu si edhe në prodhimin e farave të reja, të cilat u mundësojnë bujqve të varfër që të jenë më produktivë. Posa të shpiken mjetet e tilla, procesi është i pakthyeshëm dhe ato vetëm përmirësohen.
Skeptikët theksojnë se kemi vështirësi që mjetet e reja t’u japim njerëzve që kanë nevojë për to. Pikërisht në këtë aspekt novacionet në matjen e performansës qeveritare dhe filantropike po shënojnë progres të madh. Ai proces – përcaktimi i qëllimeve të qarta, zgjedhja e qasjes së duhur dhe matja e rezultateve – na ndihmon që të shpërndajmë mjetet dhe shërbimet tek të gjithë ata që do të përfitojnë prej tyre.
Novacionet për të reduktuar vështirësitë në shpërndarje kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Duke e përcjellë një temp konstant, progresi “nuk mund të jetë i mangët dhe i pakontrolluar”.
Ndonëse jam optimist, unë i shoh problemet me të cilat përballemi, ashtu si edhe sfidat që duhet t’i tejkalojmë për ta përshpejtuar progresin gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve në vijim. Dy gjërat që më shqetësojnë më së shumti janë mundësia që ne nuk do të jemi në gjendje të grumbullojmë fondet e nevojshme për të paguar projektet e shëndetësisë dhe zhvillimit, ashtu si edhe se nuk do të arrijmë të mbështesim qëllimet e qarta për t’i ndihmuar më të varfrit.
Lajm i mirë është se shumë shtete në zhvillim po e forcojnë ekonominë e tyre, gjë që u mundëson që të ndajnë më shumë mjete për t’u ndihmuar më të varfërve. India, për shembull, po bëhet gjithnjë e më pak e varur nga ndihmat dhe së shpejti nuk do të ketë fare nevojë për to. Disa shtete, si Britania e Madhe, Norvegjia, Suedia, Koreja Jugore dhe Australia janë duke i rritur buxhetet e tyre për ndihma jashtë; të tjerat, madje edhe donatorët që tradicionalisht kanë qenë zemërgjerë, si Japonia dhe Holanda, i kanë ulur ato. Drejtimi i shumë shteteve, përfshirë SHBA-në, Francën, Gjermaninë dhe Kanadanë, është i paqartë.
Megjithatë, ndihma ka rëndësi të jashtëzakonshme. Ajo u ndihmon njerëzve në shtetet më të varfra që të përmbushin nevojat e tyre themelore. Ajo financon novacionet në krijimin e mjeteve dhe të shërbimeve të reja, ashtu si edhe në shpërndarjen e tyre. Fatkeqësisht, buxhetet për ndihma janë vënë në rrezik si pasojë e vështirësive fiskale në pothuajse të gjitha shtetet e avancuara. Përderisa votuesit të mos dëgjojnë për ndikimin pozitiv të zemërgjerësisë së tyre, ata do të përqendrohen për çështjet e tyre të brendshme.
Një rrëfim i vetëm, pa marrë parasysh se a është i vërtetë apo jo, për keqpërdorimin e ndonjë shume të vogël të ndarë për ndihma, shpesh mund ta vërë në rrezik tërë programin. Paramendojeni se çfarë do të mendonit rreth investimit, po qe se secili artikull që lexoni tregon vetëm për të metat, derisa nuk raportohet për sukseset e mëdha.
Historikisht, për ndihma është folur kryesisht në aspektin e shumës totale të parave të investuara. Por tani që jemi duke i matur indikatorët në mënyrë më precize, si vdekshmëria e fëmijëve, njerëzit janë në gjendje të shohin ndikimin që ka ndihma – se cili është dallimi, për shembull, midis trajtimit të njerëzve të sëmurë nga AIDS-i dhe lënies së tyre që të vdesin. Kur paraqitet në këtë mënyrë, ndihma ka më shumë mundësi që të bëhet prioritet.
Por, a do të rreshtohet bota rreth qëllimeve të qarta gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të ardhshëm? Organizata e Kombeve të Bashkuara ka filluar që të përcaktojë synimet e reja, pas skadimit më 2015 të synimeve të zhvillimit të mileniumit. Ashtu si edhe më to, synimet e reja mund të ndihmojnë në organizimin e grupeve që po punojnë në këtë drejtim, t’ua kujtojnë votuesve se bujaria e tyre kontribuon shumë, duke na mundësuar edhe neve në të njëjtën kohë që ta shohim se si po përparojmë në gjetjen e zgjidhjeve për të varfrit.
Suksesi i synimeve zhvillimore të mileniumit nënkupton se ka shumë interesim që ato të zgjerohen, për të përfshirë një aspekt më të gjerë të çështjeve. Por, shumica e qëllimeve të reja kanë mungesë të një mbështetjeje unanime dhe shtimi i qëllimeve të reja – apo qëllimeve që nuk mund të maten lehtë – mund të ndikojë që të mos shfrytëzohet mundësia që na është dhënë.
Synimet zhvillimore të mileniumit ishin koherente, për shkak se fokusoheshin për t’u ndihmuar njerëzve më të varfër në botë. Grupet që duhej të punonin së bashku për t’i arritur ato mund të identifikoheshin fare lehtë dhe këto grupe mund të jepnin llogari për bashkëpunim dhe progres. Kur OKB-ja arrin marrëveshje për qëllimet e tjera të rëndësishme, si zbutja e ndryshimeve klimatike, atëherë ajo duhet të shqyrtojë nëse ndryshimi i aktorëve dhe një proces tjetër mund t’u ndihmojë më mirë këtyre përpjekjeve.
Progresi që ka arritur bota në ndihmën për më të varfrit gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të kaluar ka qenë një rrëfim i mirë që ndodh shumë rrallë dhe për këtë arsye nuk ka bërë bujë të madhe, siç bën një lajm i keq, si për shembull shpërthimi i një epidemie të re.
Kohë pas kohe ne duhet të bëjmë një shikim prapa dhe të kremtojmë të arriturat që vijnë kur ke përpara synimet e duhura, vullnetin e nevojshëm politik, ndihmat bujare dhe novacionet në mjetet dhe shpërndarjen e tyre. Kjo gjë ka thelluar përkushtimin tim për punë.
(Autori Bill Gates është bashkëdrejtues i fondacionit “Bill & Melinda Gates”. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”)