Ndërsa zgjedhjet e 23 qershorit po afrojnë, zërat për formimin e një poli të tretë po bëhen gjithmonë e më të fuqishëm. 

Në këtë pol të tretë, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut mund të ketë një rol vendimtar, përballë mundësisë së një bashkimi të përfolur me Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme.

PBDNJ, një parti që në mandatin e parë të qeverisë Berisha ishte pjesë e koalicionit qeverisës, kishte një histori të gjatë të pjesëmarrjes në koalicionet mazhoritare. Megjithatë, në vitin 2009, ajo bëri një divorc publik me koalicionin e Berishës, duke u bashkuar, të paktën “de facto”, me opozitën e kryesuar nga socialistët.

Tashmë, PBDNJ duket në prag të një divorci të ri, këtë herë me Edi Ramën, në atë që mund të përbëjë një zhvillim përcaktues në numrat që do të përcaktojnë zgjedhjet e 23 qershorit.

Pikërisht, për të folur për qëndrimet dhe zhvillimet e fundit brenda PBDNJ-së, Sokol Balla ftoi në “Top-Story” kryetarin e kësaj partie, zotin Vangjel Dule, të vendosur përballë një paneli prej tre analistësh, si Lorenc Vangjeli, Arjan Vasjari dhe Lutfi Dervishi.

Vendimi i gjykatës për 21 janarin

Në një ditë të mbushur me zhvillimet, si vendimi i pafajsisë për tre gardistë të përfshirë në vrasjen e katër protestuesve në 21 janar 2011, ishte e natyrshme që emisioni të niste nga kjo premisë. “Vendimi i gjykatës është një zhvillim shumë i rëndë, po aq i rëndë sa edhe 21 janari i dy viteve më parë. Nga ana njerëzore, ata katër martirë rivriten sot. Nga ana politike, kjo është një goditje që i jepet besimit në sistem. 21 janari, duke qenë në vijën e parë, me ata qindra mijëra bashkëqytetarë atë ditë, është e vështirë të mos flasësh me emocion. Por, përsëri nuk mund të gëlltis, dy vjet më vonë, faktin se ata qytetarë humbën jetën aty ku është institucioni ekzekutiv i vendit, ku buron vota e lirë, jashtë gardhit të Kryeministrisë”, deklaroi zoti Dule.

Kritika opozitës socialiste: “Apatike dhe e dobët”

Në vazhdim të fjalimit të tij, duke mbetur tek 21 janari, Dule theksoi se ndërsa nuk mund të hiqet një vijë barazimi midis “xhelatit” dhe “viktimës”, Partia Socialiste dështoi në opozitën e saj. “PS pati reagime të vakëta në Parlament dhe jashtë. Është absurde që sot e kësaj dite, është funksional komisioni hetimor farsë i ngritur nga qeveria për 21 janaritn dhe në kohën e ndërmjetme, kemi disa marrëveshje PD-PS, si marrëveshja e nëntorit. Përse nuk u fut edhe kjo pikë në marrëveshje?”.

I pyetur nga analisti Vangjeli, nëse beson se nga qëndrimi opozitar do të kushtëzohej me të vërtetë roli dhe veprimet e mazhorancës, kryetari i PBDNJ-së shtoi: “Mund të kishte dhe mund të mos kishte ndryshim, por prandaj jemi në opozitë, që të kundërshtojmë këto politika. Ne jemi vendi i vetëm që nuk insistojmë në mocionet e  mosbesimit. Për më tepër, mocioni nuk përkthehet automatikisht me rënien e qeverisë, por çon në një ballafaqim alternativash”.

”Ne si PBDNJ jemi një hap përpara me qëndrimet opozitare. Nëse kjo qeveri po e mbyll këtë mandat 4-vjeçar, i detyrohet dhe opozitës apatike. Dështimi i përsëritur në objektivin strategjik, që ishte statusi i vendit kandidat, duhet të kishte sjellë automatikisht rrëzimin e kësaj qeverie. Por, a ka një rast kur opozita provokoi debat në Kuvend? Statusi nuk u bllokua nga tre ligje, ky është një vlerësim shumë empirik. Edhe me tre ligjet e miratuara, nuk do të kishim fituar asnjë status. Kur një qeveri dështon në objektiv strategjik, si duhet ta trajtojë opozita, me një deklaratë e fjalime apo mocion për debat dhe interpelancë parlamentare”.

Takimi me Metën. Dule: Asnjë marrëveshje 

I pyetur për takimin e shumëdebatuar Meta-Dule, më parë gjatë shkurtit, kryetari i PBDNJ-së mohoi se janë duke u realizuar bisedime politike për një bashkëpunim me LSI-në. “Takimet mund të kenë edhe karakter thjesht njerëzor, edhe kur ke kostumin e politikanit”, deklaroi Dule. “Ju siguroj, se PBDNJ, nuk është në asnjë bisedë as me forcën kryesore dhe as me forca të tjera dytësore që janë pjesë e qeverisë”.

Lufta e Partisë Demokratrike ndaj PBDNJ-së 

Duke u kthyer pas në kohë dhe duke analizuar qëndrimin e tij në opozitë, Dule akuzoi PD-në për një luftë të shpallur ndaj PBDNJ-së. “Ndaj partisë sonë u hap një luftë e vërtetë në 2009-n, përpara se të dilnim nga koalicioni, pasi PD donte vasalë dhe jo partnerë. Goditje që nisi me ndërhyrjen e prefektit (Spiro Kserës) dhe me Kosta Barkën, që janë të dy pjesë të Parlamentit Shqiptar sot. Ne na u desh kohë dhe shumë mund për të rehabilituar forcat dhe influencën tonë pas kësaj goditje. Ndaj, nuk më pëlqen kur konsiderohemi majtas apo djathas, ne jemi vetëm një parti që përpiqemi të qëndrojmë fort me këmbët tona”.

Raporti i PBDNJ-së me Partinë Socialiste 

”Nuk ka pasur asnjë marrëveshje të shkruar, por koordinim marrëveshje politike dhe parlamentare në qëndrimet e përbashkëta, siç ka pasur dallime në çështje jo me të njëjtit dallim. Unë personalisht isha në seancën e parë të hapjes së Parlamentit, PS kishte gjashtë muaj që nuk ishte e pranishme, e qëndrime të kundërta kemi pasur deri tek votimi i fundit tek ILDKP. Kemi kontribuar për PS me mbështetjen e drejtëpërdrejtë, por edhe me një mendim të ndryshëm opozitar. Në zgjedhjet e 2011-s, përshembull, ishim forca e vetme politike që kandidoi vetëm jashtë koalicioneve. Përse? Sepse nuk u arrit një marrëveshje bashkëpunimi me PS-në dhe kostoja për partinë ishte reduktimi në 2/3 i këshilltarëve në Këshillat Bashkiakë dhe komunalë, në një kohë që numri i votave që i duhej një partie në një koalicion ishte 1/3 më pak se PBDNJ-së. Ne kemi qenë në bashkërendim të aktivitetit tonë politik me PS kur e shohnim të arsyeshme”. 

Situata ekonomike në vend 

”Situata politiko-ekonomike-sociale në vend është tejet e komplikuar. Qytetarët e këtij vendi, aq më tepër klasa politike, biznesi e dinë që po shkojmë me një shpejtësi marramendëse drejt një situate katastrofike financiare. Këtë e mohojnë të gjithë, por tregu ka shteruar, nuk ka likuiditetit, kriza greke e italiane po jep goditje që po vijnë duke u shtuar. Po harrojmë gradualisht remitancat dhe edhe nëse do të vijë shëndoshja e situatës ekonomike, që s’mund të jetë aq e afërt tek fqinjët, sërisht do kërkojë shumë kohë që të kapërcehet goditja psikologjike e emigrantëcve dhe të rinisin të kujtojnë Shqipërinë. PBDNJ këtë nuk ka në dorë ta bëjë, ne s’kemi potenciale eksperitize të PS dhe uroj që në 24 qershor të jetë në maxhorancë, por duhet ta kishte shkoqitur më mirë këtë çështje në çdo aspekt, situatën ekonomike dhe financiare. PS duhet të identifikojë problemet e tregut, e ekonomisë dhe politikat inefikase shtetërore, pasi duke mos e bërë, kosto për dështimet e kësaj qeverie, do të paguhet në mandatin e ardhshëm të PS-së. Sipas ekspertëve tanë, në momentin më të parë, shteti duhet t’i drejtohet për ndihmë FMN-së dhe Bankës Botërore”. 

Poli i tretë 

Në pjesën e dytë të Top Story Dule rrefeu krisjen e me PS. Sipas tij, kjo krisje ndodhi në zgjedhjet e 2009-ës, kur komisionerët socialistë nuk mbrojtën votat e kësaj partie në rrethin e Gjirokastrës duke ia kaluar ato Partisë Demokratike. 

Ndërsa lidhur me krijimin e polit të tretë në politikën shqiptare, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule tha se kjo është një domosdoshmëri për të zbutur klimën bipolare. Por zoti Dule përjashtoi përfshirjen e partisë që ai udhëheq në një koalicion me parti të cilat, sipas tij, kanë gjuhë nacionaliste. Duke iu referuar këtu AK dhe PDIU-së: Por polin e tretë, para dy vitesh shpreha një dëshirë, që do të ishte mirë që ti’ shmangeshim bipolaritetit. Poli i tretë është aktualisht një term mediatik se sa një realitet politik. Të gjitha forcat politike aktualisht janë në kontak me njëra-tjetrën, përvec atyre që nuk kanë hapësira për kontakte. 

Një javë më parë në Top Story kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi kërkoi shmangien e atyre që ai i quajti politika të refuzimit. ““Besoj se nuk duhet t’i referohemi një politike dhe kulture refuzuese. Ne duhet të pranojë njëri-tjetrin, me debat dhe çështje programore. Është pikërisht kjo kulturë e refuzimit dhe mospranimit ajo që ne refuzojmë”, tha ai. 

Një javë më pas, Dule refuzoi bashkëpunimin me PDIU-në duke e cilësuar si pjesë e lëvizjeve politike që nxisin destabilitet në Shqipëri dhe rajon: “Shqipëria një nga pikat e saj më të forta në procesin drejt Bashkimit Europian ka patur rolin bashkëpunues dhe stabilizues. Në dhjetor të 2012 ra një këmbanë. Fenomeni i artikulua në zemër të politikës, nga qeveria duke përfshirë edhe opozitën”, tha Dule. 

Nacionalizmi dhe çështja çame 

Duke iu referuar deklaratave nacionaliste të Kryeministri Berisha, Dule tha se ato ishin deklarata të nxitura nga presioni i opozitës që e quante “tradhëtar” për marrëveshjen e ujërave me Greqinë. 

Sa për cështjen çame dhe rezolutën për të cilën PDIU ka kushtëzuar aleancat në zgjedhje, kreu i minoriteti grek në Shqipëri tha se ajo nuk ekziston. “Nuk ka një cështje të tillë, jo se nuk e dua unë, por objektivisht nuk ekziston. Në radhë të parë që nga të drejtat, nuk flasim për të drejta kolektive, flasim për të drejtat e pjesëtarëve të një komuniteti të caktuar. Dua që marrëdhëniet të jënë sa më lart mes Shqipërisë dhe Greqisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë në nivelet e duhura, ata që e bëjnë këtë e bëjnë për të krijuar shpresa tek një grup individësh për të marrë vota. Rruga është vetëm nëpërmjet gjykatave. Rezoluta është thjesht edhe vetëm një kartë për synime elektorale dhe është kontributi më i keq që mund t’i bëhet marrëdhënieve dy palëshe. Rezoluta nuk ka përmbajtje, është vetëm ambalazh”, tha Dule.