PRISHTINE – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua të mërkurën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen. Ky i fundit deklaroi se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes e stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e FSK-së, ndërkaq theksoi edhe rëndësinë e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.
Jahjaga dhe Rasmussen diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni në përgjithësi, si dhe vlerësuan rëndësinë e stabilitetit dhe paqes në rajonin e Evropës Juglindore.
Presidentja e falënderoi për mbështetjen e ofruar ndaj FSK-së, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi dhe asistence, duke e siguruar Sekretarin e Përgjithshëm, Rasmussen që FSK do të vazhdojë mandatin e saj në respektim të standardeve evropiane dhe në koordinim të plotë me NATO-n.
“Ajo vlerësoi marrëveshjet e arritura nga ky dialogu që kanë për qëllim të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve, duke u ofruar perspektivë të qartë evropiane, si dhe falënderoi KFOR-in për angazhimin dhe punën që ka bërë në lehtësimin e implementimit të këtyre marrëveshjeve dhe në ofrimin e lirisë së lëvizjes të gjithë qytetarëve kudo që ata ndodhen”, thuhet në kumtesën e Presidencës.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen vlerësoi përmirësimin që Kosova ka bërë në fushën e sigurisë, duke shprehur përkushtimin e NATO-s ndaj Kosovës. Ai tha se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes dhe stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Rasmussen vlerësoi procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të zhvilluar në mes të dy kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke inkurajuar arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme dhe tejkalimin e problemeve.
Ai theksoi rëndësinë e integrimit të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe theksoi rëndësinë e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.