TIRANË- Këshilli i Ministrave miratoi sot Listën e Barnave të Rimbursueshme për vitin 2013, listë e cila përmban 420 principe aktive dhe 1020 barna të tjera alternative.
"Lista e barnave është e përgatitur me përkushtim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor dhe është një kënaqësi e madhe për mua të informoj qytetarët shqiptarë që kjo listë që ne miratojmë është një nga më të plotat që eksiziton. Kjo listë përmban principe aktive 420, kurse si barna alternative janë 1020 barna të tjera", tha kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë.
Duke u ndalur tek kostot për LBR, Kryeministri theksoi se kostoja e LBR në vitin 2005 ka qenë 3.2 miliardë lekë, sot është 8.3 miliardë lekë.
"Unë e kuptoj që sot ka qytetarë, të cilët, për shkak të burokracisë përballen me probleme në sistemin shëndetësor, por kjo nuk ka lidhje me politikën tonë për të ofruar sistemin shëndetësor më të mirë", tha Kryeministri. Duke sjellë si shembull hemodializën, Berisha theksoi se "kur erdhëm në pushtet ishte një listë qesharake. Shumica e shqiptarëve e bënin hemodializën në Strugë dhe Janinë, pasi në Shqipëri ishte ekzotike. Sot janë 600 të sëmurë që marrin këtë shërbim".
Kryeministri Berisha u ndal tek investimet në shërbimin shëndetësor, duke përmenduar edhe kryerjen e transplantit të veshkave, por dhe atë të mëlçisë së fundi në një spital privat. "Ftoj kamerat të shkojnë dhe të filmojnë edhe teknologjitë më të avancuara që ekzistojnë në ndonjë vend, dhe të mos filmojnë vetëm ambientet e braktisura që janë duke u rikonstruktuar. Kemi investuar që qytetarëve shqiptarë të mos i mungojnë mjetet më të përparuara për t'u diagnostikuar", theksoi Berisha, duke përmendur në këtë drejtim pajisjen e strukturave spitalore me akseleratorë, rezonancë magnetike, apo telemedicinën, etj.
"Ky është qëndrimi ynë për një shërbim shëndetësor në reformi, por që ka renditur Shqipërinë në vendet e zhvilluara për vdekshmërinë amtare dhe foshnjore, jetëgjatësinë të krahasueshme me disa vende të zhvilluara", tha Berisha, duke shtuar se "me reformat në vazhdim ne ecim drejt një përsosje, përmirësimi të mëtejshëm të këtij shërbimi".