SHBA- Shqipëria rezulton të jetë një ndër 54 vendet që kanë ndihmuar Agjencinë Qëndrore të Inteligjencës, CIA-n në një program për arrestimin dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve të Al Kaedës. Një raport i Fondacionit Open Society tregon në vitet që pasuan sulmet e 11 shtatorit 2001, CIA nisi një program mbarëbotëror për kapjen e personave që kishin lidhje me Al Kaedën, te cilët arrestoheshin dhe merreshin në pyetje shpesh në mënyrë brutale. Raporti në fjalë detajon përpjekjet e CIA-s në transferimin e të dyshuarve në duart e autoriteteve amerikane pa një proces të ligjshëm dhe shpesh përfshinte transferimin e këtyre personave nëpër vende që praktikojnë torturimet. Raporti përmend edhe rastin e Khaled El-Masrit, i dyshuar për lidhje me Al Kaedën, i cili transferua nga Afganistani në Shqipëri për tu dërguar më pas në Gjermani.
“Qeveria shqiptare nuk ka kryer asnjë hetim zyrtar mbi rrolin e saj në burgosjen sekrete dhe operacionet e CIA-s, madje ka mohuar çdo përfshirje në rastin El Masri megjithëse autoritetet shqiptare vulosën pasaportën e tij para se të largohej nga Shqipëria”-thuhet në raport. Po kështu sipas raportit, autoritetet shqiptare nuk dhanë asnjë sqarim apo shpjegim lidhur me hyrjen dhe qëndrimin e El Masrit në Shqipëri. Në të njëjtin përfundim arriti në qershor të vitit 2012 edhe Komiteti kundër Torturave pasi publikoi konkluzionet e tij për Shqipërinë. Po kështu raporti kujton se në vitin 2009, Qëndra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve kërkoi informacione nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme lidhur me ndalimin dhe marrjen në pyetje të El Masrit por që të dyja ministritë refuzuan kërkesën dhe qeveria shqiptare argumentoi se nuk mund të japë detaje sepse bëhet fjalë për informacion të klasifikuar. Ministria e brendshme në atë kohë vetëm konfirmoi se El Masri u largua nga Shqipëria në 29 maj të vitit 2004.
Sipas hetuesit të fondacionit Open Society, Amrit Singh raporti vërteton se qeveria amerikane ka shkelur ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare. Por raporti nuk jep detaje të llojit të ndihmës konkrete që ka dhënë secili prej vendeve që kanë ndihmuar CIA-n. Sipas Fondacionit Open Society 136 persona janë arrestuar gjatë këtij programi dhe 54 vende kanë qënë të përfshirë në të. Renditja e plotë e këtyre 54 vendeve është pikërisht kjo dhe Shqipëria është e dyta, sipas rendit alfabetik. Madje në listë përfshihen edhe vende kundërshtare të SHBA-ve si Irani dhe Siria.
Pritet që raporti në fjalë të jetë pjesë e raportit më të fundit të komisionit të inteligjencës së Senatit Amerikan mbi torturat e përdorura nga CIA, ku Xhon Brenan, ish ndihmësi I presidentit Obama i emëruar për tu bërë drejtori I ri I CIA-s, do të japë shpjegime nëse Agjencia përdor ende praktika të tilla bashkë me partnerët e saj globalë.