TIRANË- Aleanca Kuq e Zi dërgoi paraditen e sotme në Prokurorinë e Përgjithshme fakte ku denoncon atë që ajo e cilëson si skandalin e radhës së qeverisë “Berisha”. Në një konferencë për shtyp, kreu i kuqezinjve, Kreshnik Spahiu  publikoi përpara opinionit publik fakte dhe dokumenta që lidhen me pagesa dhe shpërblime të qeverisë shqiptare në favor të drejtuesve të “Agimit të Artë” në Shqipëri dhe Greqi, posacërisht kreut të lëvizjes për “Pavarësinë e Voroi Epiriti dhe Greqinë e Madhë” Theofan Kaliviotis. 

“Prej disa vitesh kreu i kësaj organizate për pavarësinë e Vorio Epirit, Theofan Kaliviotis ka drejtuar protesta ekstremiste, radikale dhe të dhunshme në Athinë kundër shtetit Shqiptarë, fakt ky që është i provuar nga fotot që i janë bashkangjitur dokumentacionit që do t’i dërgojmë Prokurorisë së Përgjithshme”, deklaroi Spahiu në konferencën për shtyp. Nga flet-borderoja e pagave të njërës nga ministritë e kabintetit qeveritar të shtetasit Sali Berisha dhe urdhëra të tjerë të shërbimit rezulton se Theofan Kaliviotis është paguar në mënyrë sistematike, pavarësisht mosparaqitjes në punë por për rrjedhojë të angazhimit të tij anti-shqiptarë është shpërblyer dhe paguar për të ngritur degën naziste të “Agimit të Artë” në Shqipëri” deklaroi lideri i kuqezinvje. 

“Aleanca Kuq e Zi i kërkon Prokurorit të Përgjitshëm Z.Adriatik Llalla të nisë sa më parë hetimin zyrtarë dhe procedimin penal për kriminelët e “Agimit të Artë” dhe zyrtarët e qeverisë së shtetasit Berisha të implikuar në afera që cënojnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptarë, dhe që abuzojnë me taksat e qytetarëve shqiptarë për të rrënuar integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë” shtoi Spahiu.