TIRANE – Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi thekson domosdoshmërinë e reformës në drejtësinë kriminale, përmes hartimit të ligjeve të qarta e të ashpra në drejtim të armëmbajtjes pa leje. Përmes rrjetit social “Facebook”, ministri Halimi bën të ditur se reforma parashikon arrestin me burg për këdo që kapet me armë pa leje. Ministri Halimi thekson se masat për ata që kapen me armë automatike dhe për ata që kapen për të dytën herë, apo më shumë, me armë, duhet të jenë shumë të ashpra.
“Një miku im me shkruante sot në FB, pasi kishte dëgjuar kolegun tim Noka dje në komisionin parlamentar. Mbi 900 raste ka patur në gjithë Shqipërinë arrestime nga policia për mbajtje pa leje të armëve luftarake, dhe pjesa më e madhe nuk i ishin nënshtruar burgut!! Unë gjykoj se shqetësimi i mikut tim virtual është i drejtë. Pak kohë më parë, nisur nga një vendim i Kolegjit Penal Gjykatës së Lartë, i cili kishte deklaruar si në kundërshtim me ligjin një vendim të një gjykate në veri, për lënien e lirë të një personi me precedentë penalë, edhe pse ishte kapur me armë zjarri, inspektimi i gjeti me shkelje këta gjyqtarë, dhe me pas ia ka kaluar KLD-së për të marrë vendim. Por a mund të zgjidhet kjo vetëm me inspektime?”- shkruan ministri Halimi.
Sipas ministrit të Drejtësisë, “aktoreve të drejtësisë duhet të mos i lihen hapësira në ligj, dhe ligjet duhet të jenë sa më të qarta dhe më të ashpra në këtë drejtim. Të gjithë ne e kuptojmë dallimin e dikujt që del me armë zjarri pa leje dhe e dikujt që del me armë zjarri me leje. Dallimi është tek qëllimi kriminal që ka personi që merr një armë zjarri dhe del në publik. Të gjithë ne e kuptojmë se një person që del me një armë automatike "kallashnikov" në publik, përbën rrezikun më të madh për të gjithë ne, familjet tona, fëmijët tanë. Siguria publike këtu vihet në rrezik të madh. Të gjithë ne e kuptojmë se një person që ka precedent penale të mëparshëm, dhe kapet me një armë zjarri në publik, përbën po aq një rrezik të madhe për sigurinë publike.”- shkruan ministri në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. .