TIRANE – Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, nëpërmjet një letre të hapur i kërkon informacion ministrit të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto për kompaninë e re që do marrë në administrim minierëne kromit në Bulqizë, nëse i përmbush apo jo kushtet.
“Mësova se kompania kryesore shfrytëzuese e kromit të Bulqizës, ACR, e cila fitonte miliarda pa përmbushur planin e investimeve, siç nuk e ka përmbushur dhe sot, ka shitur të drejtën e shfrytëzimit, duke u larguar përfundimisht nga vendi, prezumoj me miliona euro fitim, e duke lënë pas vetëm minatorët që rropaten po njëlloj. Ju kujtoj këtu se kësaj kompanie, ministri paraardhës, sot ministër përsëri në detyrë, Z. Ruli, i firmosi një marrëveshje brenda 24 orëve, me anë të së cilës ACR përfitonte shtyrjen e shlyerjes së gjobave. Marrëveshje që nuk u miratua kurrë në Parlament siç e kërkonte ligji. ACR iku pa i shlyer kurrë këto gjoba, duke marrë vetëm fitimin kolosal, duke mos kryer investimet e po kështu, duke mos paguar as gjobat. Fati i kompanive që marrin në shfrytëzim kromin e Bulqizës është i njëjtë Z. Ministër. Kështu ka bërë dhe Darfo, kështu kanë bërë dhe të tjerat. Të gjitha këto kompani vijnë, shfrytëzojnë mineralin, fitojnë miliarda, nuk bëjnë investime, nuk paguajnë gjoba e krisin e ikin”, thuhet në letrën e deputetit.
Tahiri kërkon më tej informacion të detajuar e të plotë për çështjet e poshtëshënuara:
1- Dokumentacionin që provon garancitë financiare të shoqërisë së re që merr koncesionin në përmbushje të legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjen koncesionare të miratuar në parlament;
2- Dokumentacionin që provon se shoqëria e re plotëson kushtet e investitorit të fushës;
3- Praktiken e transferimit të lejes koncensionare nga ACR Sh.A tek shoqëria e re koncensionare;
4- Realizimin e investimeve nga shoqëria koncensionare ACR Sh.A nga 1 Korrik 2009 deri në 31 Dhjetor 2012;
5- Dokumentacionin që provon pagesën e penaliteteve nga shoqëria ACR Sh.A për moszbatimin e kushteve të kontratës koncensionare mbi realizimin e investimeve brenda afatit;
6- Grafikun e hapjes te pusit nr.9 të thellësisë të Minierës së Kromit Bulqizë dhe reliazimin e këtij grafiku për periudhën 1 Korrik 2009 deri ne 31 Dhjetor 2012;
7- Sasinë e rezervave të mineralit të kromit që kanë shfrytëzuar shoqëritë koncensionare dhe prodhimin e mineralit të kromit të realizuar nga këto kompani, të ndarë për secilën shoqëri për të gjithë periudhën e dhënies me koncesion deri në 31 Dhjetor 2012;
8- Sasinë e rezervave të mineralit të kromit që kanë mbetur pa u shfrytëzuar mbi nivelin e 14 të thellësisë të Minierës së Kromit Bulqizë;
9- Sasinë e rezervave që është shfrytëzuar nga shoqëria koncensionare AÇR Sh.A për periudhën 1 Korrik 2009 deri ne 31 Dhjetor 2012 dhe prodhimin e mineralit të kromit që ajo ka realizuar për këtë periudhë.