TIRANË – Kryesocialisti Rama, i cili ka qenë i pranishëm gjatë takimit të Akademisë Politike të Partisë Socialiste, ka theksuar se Shqipëria është në një udhëkryq shumë të rrezikshëm dhe se zgjedhjet e 23 qershorit kanë një peshë të veçantë për të ardhmen e vendit.

“Por është e rëndësishme që së bashku të bëjmë gjënë e duhur deri në 23 qershor ku ky popull do të marrë një vendim shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tij. Një vendim që nuk do të afektojë vetëm 4 vitet e ardhshme, por një dekadë. Shqipëria është në një udhëkryq shumë të rrezikshëm”,- tha Rama. 

Në të njëjtën kohë kryesocialisti apeloi që të luftohet përditë kundër mitit urban, se që të gjithë janë njësoj dhe asgjë nuk mund të ndryshojë në këtë vend.

 “Ju jeni shumë të rëndësishëm për ne, për të luftuar përditë kundër një miti urban të ngritur enkas për t’i dekurajuar shqiptarët. Mitin, që të gjithë janë njësoj dhe asgjë nuk mund të ndryshojë, kështu ka qenë kështu është dhe kështu do jetë, se politika është një gjë e ulët dhe të gjithë politikanët janë të përzier në një batak, ku ruajna Zot nëse prekesh apo e prek. Kjo është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një shoqërie. E keqja më e madhe është t’i dorëzohet një miti të tillë, sepse kapitullon përpara varfërisë së aspiratave.” 

Ky është viti i tretë i Akademisë Politike të Partisë Socialiste. Në nisje të takimit, të rinjtë e Akademisë politike janë përshëndetur nga Frank Hantke, Drejtori i Fondacionit “Fridrich Ebert” për zyrat e Tiranës.