TIRANE – Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha sot se për koalicionet për zgjedhjet e 23 qershorit do të vendoset para datës 23 prill, kur është edhe afati i fundit për regjistrimin e partive politike.
“Do të jetë vetëm Konventa Kombëtare e LSI-së që do të vendosë, nuk do të diskutohet në mënyrë të papritur, do të duhet të presim fillimin e prillit dhe natyrisht në mesin e muajit prill do të marret një vendim, para datës 23 prill që është edhe afati i fundit i regjistrimit të partive.”- tha Meta.
Sondazhet e publikuara deri në këto momente lidhur me pozicionimin e partive politike për zgjedhjet e 23 qershorit, Meta i cilësoi qesharake, duke shtuar se, çdokush është i lirë të shpallë apo sajojë sondazhe. LSI, tha ai, do të fitojë disa herë më shumë mandate se çka aktualisht në zgjedhjet e ardhshme.
“Dua t’ju siguroj se një grup parlamentar do ta bëjmë vetëm me dy qarqet kryesore.”- tha kreu i LSI-së.
Gjatë një konference për shtyp, Ilir Meta u ndal edhe tek mesazhi i dhënë një ditë më parë nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, duke e vlerësuar atë si një mesazh që duhet vlerësuar në maksimum.
“Çdo ekzagjerim i debateve për çështje të ndryshme, në veçanti zgjedhjet nuk i shërben forcave dhe procesit që tashmë kemi hyrë dhe dëmton standardin e këtyre zgjedhjeve, që do të jetë i rëndësishëm drejt BE-së, për statusin dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.”- theksoi Meta.