TIRANE – I ftuar në emisionin “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji në televizionin NEWS24, kryetari i organizatës Omonia, Vasil Bollano flet për çështjen e Himarës, minoritetin grek në Shqipëri dhe kundërshtimet për Censusin 2011. 

Bollano deklaroi se minoriteti grek nuk e njeh rezultatin e censusit të vitit 2011, pasi sipas tij, është realizuar në mungesë demokracie, që mund të fshehë edhe prapaskena të tjera.

“Minoriteti etnik grek kërkoi një census me një proces sa më real, që mos kemi shifra me afërsi dashakeqe. Por nuk u arrit mirëkuptim për një proces sa më të afërt bazuar në organizmat ndërkombëtarë që monitorojnë këtë proces. Minoritetet e kundërshtuan këtë proces. Ne si përfaqësues të minoritetit grek ngremë problemet që janë shqetësim, si rasti i censusit. Këtu ka qëllime dashakeqe për 101 arsye, por mendoj që këtu përgjegjësinë e mban qeveria, e cila duhet të ndërtonte një proces sa më pranë organizmave ndërkombëtare.”- u shpreh Bollano. 

Duke u ndalur sërish tek censusi, Bollano argumentoi se minoriteti që ai përfaqëson nuk është dëgjuar dhe nuk është përfillur nga politika shqiptare. “Për censusin donim takim, nuk na priti njeri. Zotit Dule iu dha një përgjigje me shumë vonesë”. 

I pyetur për kontributin që ka dhënë ministri i Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera pikërisht për censusin, Bollano la të kuptohet se ky i fundit i ka kthyer shpinën minoritetit grek. 
“Kur një subjekt politik të ka rritur e aktivizuar në politikë, nuk mund t’i kthesh krahët”, komentoi ai. 

AUTONOMI HIMARES?
I pyetur nëse autonomia e Himarës konsiderohet si zgjidhje për minoritetin grek, Bollano deklaroi se problemi kryesor është integrimi dhe përmirësimi i kushteve të minoritetit në vendin tonë. 

Sipas ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, “njësitë vendore kanë kartën e autonomisë lokale si busull për administrimin lokal. Autonomia lokale është politike, ekonomike, administrative, kontrollon kufirin juridik të njësisë vendore.” 

VORIO-EPIRI 
Kreu i Omonia-s ka folur më tej edhe për Vorio-Epirin, ndërsa thotë se sot nuk mund të flitet më për të si njësi administrative. 
Koncepti Vorio-Epir është historik, për arsye të themelimit të shteteve balkanike, sic dihet cdo vend ka pasur pretendime territoriale, ne e njohim si emërtim për hir të gjeografisë dhe kohës, ndërsa sot Vorio-Epiri nuk mund të shprehë një njësi administrative”, tha ai. 

Bollano, u shpreh më tej se Vorio-Epiri nuk ekziston edhe pse keqpërdoret nga disa individë. 
“Asnjëherë nuk mund të them se qëndron ky emërtim, por shpeshherë keqpërdoret. Për këtë nuk duhet të dëgjojmë individë të ndryshëm, nuk mund të dëgjojmë zëra periferikë”, shtoi ai. 

PLATFORMA NË ZGJEDHJE
Kryetari i organizatës Omonia deklaroi më tej gjatë emisionint “360 Gradë” se platforma e tyre në zgjedhje ka në vëmendje, “Përmirësimin dhe përfaqësimin me dinjitet të komunitetit grek. Ne kemi një deputet, duam të përmirësojmë numrin në Kuvend. Në aspektin politk, duam të thithim më shumë vota”, shtoi ai. 

Ai më tej pranoi një lloj krize brenda minoritetit grek, kur tha se , “Elektorati ynë demokratizimin e shoqërisë e koncepton në mënyrë më të gjërë, por ka edhe momente krize për shkak te problemeve personale por edhe keqdashësve”, shtoi ai. 

Bollano ka deklaruar më tej se, “Në 2009 interesat tona politike u dukën se ishin më afër të majtës, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe është shpejt të pozicionohemi për një aleancë të re”, ka shtuar ai. 

MARRËDHËNIET ME SHQIPTARËT 
Bollano është ndalur të komentojë edhe marrëdhëniet e e minoritarëve grekë me shqiptarët, por edhe nëse janë ndjerë ndonjëherë të kërcënuar nga nacionalizmi shqiptar dhe a ekziston ai në realitet. Ai është shprehur se në historinë e këtyre marrëdhënieve ka pasur raste të cenimit të të drejtave të minoritetit. 

“Minoriteti etnik grek ka bashkëjetuar në harmoni gjatë gjithë periudhave, por në momentin që kërkohet respektimi i të drejtave, cënohet mirëkuptimi, atëherë cënohet edhe bashkëjetesa. Prandaj kërkojmë mirëkuptimin në kontaktet që ngremë. Ne duam të ulemi, të përmirësojmë problemet që kemi”, tha ai. 

Ndërsa i pyetur për atë që ideuesi nacionalist i ‘Agimit të Artë, Kristo Papas mendon për shqiptarët,Bollano nuk ka dashur të komentojë. 
Ai është shprehur shkurt se, “Ne i përmbahemi deklaratave të Athinës zyrtare, atë njohim, atë qëndrim mbajmë”. 

REZOLUTA CAME 
Në lidhje me rezolutën çame, që është depozituar në Kuvend nga PDIU, Bollano tha se i qëndron reagimit zyrtar të Athinës, që konsideron se aspekti i rezolutës nuk qëndron politikisht për palën greke. 

“Politiken e jashtme nuk e luajnë forcat politike, por Ministra e Jashtme. Në parime të përgjithshme, në momentet që është nënshkruar një marrëveshje e miqësisë së mirë, nuk mundet të shkojmë me një rezolutë të parlamentit shqiptar në parlamentin grek, por shkohet në rrugë diplomatike. Në pikëpamjen diplomatike nuk është rrugë e drejtë. Për çështjen e rezolutës është përgjigjur Athina zyrtare për të cilin nuk mund të kemi mendim tjetër.”- deklaroi Bollano. 

PENSIONET GREKE 
Zoti Bollano ka komentuar më tej edhe një çështje të ndjeshme, si☼ është ajo e ndërprerjes së pensioneve greke për minoritarët, duke thënë se deri më tani, diçka e tillë nuk ka ndodhur. 

“Pensionet greke nuk janë hequr. Është përfolur për një ligj në kuadër të reformave që po merr Greqia, i cili vështirëson plotësimin e kritereve për marrjen e pensioneve, por jo vetëm për minoritarët por për të gjithë ata që përfitonin nga kjo asistencë, nëse këto kritere s’i plotësojnë. Mund të them se sot e kësaj dite e minoritarët marrin pensione, deklaratat e tjera janë në botën e fantazitëve”, tha ai. 

BASHKËJETESA SHQIPTARO-GREKE, E ARDHMJA 
Sipas kreut të Omonia-s, marrëdhëniet e shqiptarëve dhe grekëve kanë evoluar për mirë. 
“Sigurisht diagrama e lëvizjes ka ulje ngritje, por me kurbë në ngritje. Këto marrëdhënie cenohen kur forca politike ushtrojnë presion tek mazhoranca qeverisëse dhe e cënojnë këtë marrëdhënie që është pozitive deri në këto momente që flasim. Mazhoranca të diskutojë në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë publike me minoritetin.”- u shpreh Bollano. 

I pyetur nëse ndjehet shqiptar apo grek, Bollano u përgjigj: “Grek dhe shqiptar është sot, por nesër do të jemi qytetarë evropiane dhe nuk do t’i shikojmë këto”. 

                                           Marre nga Balkanweb