KOSOVE– Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 49-të për Siguri në Munih, ka zhvilluar një takim me ministrin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Libisë, Mohamed Abdulaziz.

Ministri Abdulaziz ka theksuar se Libia ka qëndrim pozitiv ndaj shtetit të pavarur të Kosovës. Në këtë kontekst, ai ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Libia është vetëm çështje kohe.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka informuar ministrin Abdulaziz për progresin e Kosovës në konsolidimin e shtetësisë përmes ndërtimit të institucioneve demokratike, integrimit të komuniteteve, zhvillimit ekonomik dhe ndërtimit të drejtësisë sociale për të gjithë qytetarët.

“Populli i Kosovës ka luftuar për aspirata të njëjta, dinjitet njerëzor, drejtësi, liri dhe pavarësi politike sikurse Libia dhe shumë vende arabe kundër regjimeve diktatoriale”, theksoi ministri Hoxhaj, gjatë takimit.

Ai po ashtu vlerësoi se Libia nuk ka asnjë arsye as politike as juridike për të shtyrë njohjen zyrtare të Kosovës, duke përmendur në këtë kontekst kontributin e Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitet në Evropë dhe në botë si dhe vendimin e GJND-së për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, raporton “Telegraf”

Ministri Hoxhaj gjatë dy vjetëve të fundit ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të lartë të Libisë, në përpjekje për të përshpejtuar vendimin e këtij shteti për njohjen e pavarësisë së Kosovës.