TIRANË- Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat i ka bërë edhe njëherë apel politikës shqiptare të gjejë kompromisin për votimin e tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian, me qëllim që vendi të marrë statusin kandidat në BE. Sipas Vasilit, politika duhet të arsyetojë dhe të japë sinjale pozitive gjatë vizitës së Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle i cili të hënën do të vizitojë Shqipërinë. 

“Kërkojmë përmbushjen e atyre tre detyrimeve që Europa kërkon, që janë tre ligje, ligji për shërbimin civil, gjykatën e lartë dhe ligji për rregulloren e parlamentit. Këto ligje përvecëse përmbajnë elemente që ndihmojnë jetën e shqiptarëve, hapin edhe rrugën e integrimit e saj në Europë, Pse jo të kishim mundësi t’i votonim këto tre ligje me qëllim që të merrnim statuasin para zgjedhjeve”, tha Vasili. 

Sipas tij, LSI do punojë për të rrëzuar muret e mosbashkëpunimit politk dhe për të ngritur urat e bashkëpunimit. 

Vasili komentoi edhe ndarjen e mandateve që u bë nga Kuvendi si në vitin 2009, ku tha se, kjo zgjidhje ishte mundësia e vetme për të zgjidhur ngërcin artificial të krijuar nga PS. 

“Ne votuam pro ndarjes së mandateve sin ë vitin 2009 për t’i hapur rrugë procesit për zgjedhjet. Apelojmë për uljen e konflikteve. Acarimi i situatës nuk ndihmon askënd. Ne do vazhdojmë të japim kontribut për një sistem më të konsoliduar. Shqiptarët do shkojë në votime, sipas votimit që kanë bërë përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Shqiptarët nuk duan debate pa kuptim, besoj që për ndarjen e mandateve u konsumuan të gjitha etapat ligjore, që opozita i kundërshtoi, ndërsa Kuvendi cliroi ngërcin e krijaur, dhe i dha mundësisë vendit të shkojë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, shtoi ai.