POGRADEC – Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla nga Pogradeci ka akuzuar qeverinë se së bashku me Bankën Botërore po përgatit fshehtazi rritjen e moshës së pensioneve, ndërsa tha se qeveria duhet ta bëjë publike këtë skemë dhe t’i përfshijë edhe ata në vendimmarrje.
“Ne kontestojmë këtë lloj politike të kamufluar, që po bën qeveria dhe Banka Botërore. Ne jemi duke e kundërshtuar me forcë dhe jemi duke kërkuar transparencë. Kjo është një ‘patate’ përvëluese, e cila varet se kujt qeverie do t’i ngelet në dorë. Ne na shqetëson dhe heshtja e opozitës, e cila po tregohet pak tradhtare në këtë moment, pasi po mendon se do e rregullojë problemin me duart e PD që nesër kur të vijë në pushtet ta ketë të rregulluar këtë problem. Nëse ata nuk reagojnë, ne do bojkotojmë zgjedhjet dhe të mos pretendojnë vota nga punëtorët. Dhe në fund fare, nëse vazhdon politika e fshehtë për rritjen e moshës së pensioneve, ne do të ndërmarrim protesta në të gjithë Shqipërinë”, tha Nikolla.
Më tej Nikolla është ndalur edhe te fakti që mijëra punëtorëve në Shqipëri, sipas tij nuk kanë marrë ende pagat. “Situata social-ekonomike në vend është tepër e vështirë. Mijëra punonjës në Shqipëri janë pa marrë pagat, përfshi këtu jo vetëm punëtorët e sektorit publik në njësitë vendore, për shkak të problemeve financiare të ndikuara nga buxheti i shtetit, por edhe kompanitë private, të cilat nuk janë likuiduar nga buxheti i shtetit, pavarësisht se i kanë kryer punimet. Kjo vërteton krizën, e cila tashmë është duke bërë prezente”, theksoi Nikolla.