TIRANË- Ambasadori Amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu kërkon intensifikimin e punës në luftën kundër korrupsionit. Gjatë një senimari të organizuar në Prokurorinë e Tiranës, ku ishte i pranishëm dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, ambasadori amerikan duke kujtuar se parlamenti tashmë e ka votuar ligjin për kufizimin e imunitetit, ka kërkuar përkushtim e angazhim nga prokurorët në luftën pa kompromis kundër korrupsionit.
"Meqenëse parlamenti në shtator miratoi një amendament kushtetues që reformonte dhe hiqte disa imunitete për një numër zyrtarësh edhe në gjyqësor, tani është koha për ta rrokur këtë nismë dhe në luftën kundër korrupsionit zyrtar. Këto seminare janë shumë praktike. Synojnë t’ju japin mjetet për të hetuar, ndjekur penalisht korrupsionin, por edhe që, duke bërë këtë, shpresojmë të punojmë nëpërmjet jush për të rritur nivelin e besimit të publikut se mund të bëhet më shumë përparim në luftën kundër korrupsionit."- u shpreh ambasadori.
Sipas ambasadorit Arvizu, zyrtarët amerikan dhe komisionerët e BE-së flasin për korrupsionin në Shqipëri, çka do të thotë se po bëhet përparim i pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit zyrtar dhe kulturën e pandëshkueshmërisë.
“Sa herë që ka një fjalim, qoftë nga Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton apo nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, në çdo fjalim, do ketë një koment për korrupsionin zyrtar. Nuk është veç një frazë për të kaluar radhën; nuk është njësoj si të thuash ‘mirëmëngjes’ apo ‘faleminderit.’ Ka një arsye pse ajo frazë është aty. Dhe arsyeja është që pavarësisht përpjekjeve të mira, përpjekjeve më të mira nga shumë persona të përkushtuar në prokurori, gjyqësor, polici; ka shumë përpjekje individuale të përgëzueshme, të lavdërueshme, por, në përgjithësi, nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, po bëhet përparim i pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit zyrtar dhe kulturën e pandëshkueshmërisë. Mendoj se ky faktor si çdo faktor tjetër përbën pengesë për hyrjen në BE dhe vërtet është i papranueshëm për një vend si Shqipëria që ka të drejtën legjitime të aspirojë të bëhet pjesë e BE-së.”- u shpreh ambasadori.
Nga ana e tij, kryeprokurori Llalla deklaroi se korrupsioni është një pengesë e kapërcyeshme që kërkon impenjim në zbatimin e ligjit dhe integritet të lartë profesional. Sipas tij, kufizimi i imunitetit për zyrtarët e lartë ka krijuar lehtësira në këtë drejtim.
“Në krye të Prokurorisë së Përgjithshme jam mandatuar për t’i dhënë një impuls më të madh sfidës antikorrupsion. Nëpërmjet strukturave Task-Force dhe natyrisht, me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë ata amerikanë, jam i sigurt se kjo sfidë do të jetë e realizueshme. Shpreh bindjen e plotë se korrupsioni është pengesë e kapërcyeshme. Por kjo kërkon impenjim maksimal, zbatim korrekt të ligjit dhe, mbi të gjitha pavarësi dhe integritet të lartë profesional e moral të prokurorëve. Tashmë që edhe kufizimi i imunitetit për zyrtarët e lartë ka krijuar lehtësira të mëdha për shtrirjen e hetimit në të gjithë nivelet e funksionarëve publikë, organi i prokurorisë ka për detyrë që të përligj vullnetin e ligjvënësit për t’i forcuar pozitat institucionit të akuzës.”- deklaroi kryeprokurori Llalla.
Prokurori i Përgjithshëm shprehu mirënjohje për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e madhe që u ka dhënë njësive Task-Force të prokurorisë.