TIRANE– Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka cilësuar sërish si alarmante rritjen e kriminalitetit në vend.
Duke folur në një tryezë për sigurinë, kryetari i PS-së theksoi se shifrat për kriminalitetetin janë të frikshme dhe policia ndihet e harruar nga shteti.
“Deklarata si ato të djeshmet janë të shkëputura nga realiteti dhe kanë arritur në pikën që policin nuk e konsidrojnë më punonjës të shtetit, vetëm kur duhet ta përdorin si militant partie. Kanë harruar sa paguhet polici i terrenit, kanë harruar ti paguajnë shpërblimet dhe punët jashtë orarit dhe kanë harruar se ai ekziston. Kjo është e vërteta e hidhur të një deklarate e cila tregon se në çfarë katandie është sot ministria e brendshme dhe kupola drejtuese e uniformave blu” tha Rama.
Ai ka theksuar se jeta e qytetarëve dhe prona e tyre ka dalë jashtë kontrollit të policisë së shtetit ndërsa shifra e kontributeve për mbrojtjen e pronës është marramendëse.
“Garantimi i jetës, integriteti fizik dhe padyshim i qetësisë së individit dhe garantimi i pronës publike dhe private si e pacënueshme sot asnjëra dhe as tjetra nuk janë më nën kotrollin e policisë dhe nën mbrojtjen e shtetit si garant i tyre. Individi ndihet i kërcënuar, opinioni ynë publik ndihet i shqetësuar për gjendjen e pasigurisë dhe prona është tërësisht e pambrojtur. Sot shifra e kontributeve për mbrojtjen e pronës së sipërmarrjes është marramendëse ashtu sikundër është marramendës raporti i rritjes së vjedhjes së banesave që konsiderohet një nga treguesit kryesore për të vlerësuar gjendjen në vend” shtoi Rama.