TIRANE – Anëtarja e grupit të punës për Programin e PS-së, Milena Harito nëpërmjet një deklarate për mediat tha se kryeministri Berisha vazhdon të kopjojë programin e PS, për Rilindje Shqiptare, duke iu referuar nismës për heqjen e taksës ndaj rrogës 30 mijë lekë. 

“Kryeministri Berisha tha se shqiptarët që paguhen deri në 30 mijë lekë nuk do të paguajnë taksa. I kujtojmë Kryeministrit se ky është një nga premtimet e programit të Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare, të cilin si të tillë, opozita do e votojë. Meqë kohët e fundit Kryeministri ka nisur të kopjojë shumë nga nismat tona, gjejmë rastin që t'i kërkojmë atij edhe heqjen e taksës së biznesit të vogël”,- tha ajo. 

Në deklaratën e saj Milena Harrito u ndal edhe në problematikën e punësimit. Sipas PS-së, papunësia ka arritur nivele mjaft të larta dhe kryeministri Berisha nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e tij për punësimin.

“Sipas të dhënave tona, sot në Shqipëri ka plot 1 milionë të papunë. Por edhe po t'i referoheshim të dhënave të vetë qeverisë, në këto katër vite janë humbur plot 51 mijë vende pune në Shqipëri. 4 vjet më parë, Berisha premtoi se do të hapte 160 mijë vende pune. Pas 4 vjetësh, jo vetëm premtimi nuk është mbajtur, por është bërë më keq se më parë”,- tha ajo gjatë deklaratës.