TIRANE – Sistemi zgjedhor rajonal proporcional penalizon partitë e vogla dhe favorizon ato të mëdhatë. Zgjedhjet e vitit 2009 e treguan këtë, ku me votat e “të vegjëlve” Partia Demokratike edhe ajo Socialiste siguruan mandate shtesë.
Për zgjidhjen e këtij problemi, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkon marrëveshje të detajuar dhe këtu nuk e ka fjalën vetëm për PR-në por për të gjitha partitë e koalicionit të djathtë.
"Më tepër sesa diskutimi në termat e përgjithshme të marrëdhënieve të koalicionit, të ketë një diskutim konkretë duke nxjerrë sidomos mësime nga viti 2009 për problematikën që patën marrëdhëniet politike në këtë vit”, thotë Mediut.
Ai nënvizon se në zgjedhjet e 2009-s “janë 100 mijë vota që janë marrë nga koalicioni nga partitë e tjera përveç PD-së, do të thotë që janë 10 deputetë që janë përfituar”.
Sipas Mediut një marrëveshje speciale do të motivonte forcat e vogla politike për të mbledhur sa më shumë vota edhe në qarqet ku ato nuk mund të sigurojnë mandat deputeti.
“Nëse nuk do të ketë një marrëdhënie vërtetë sa më të integruar dhe sa më tepër konkurrues brenda këtij koalicioni, do të kishte një firo të këtyre votave. Pra është shumë e rëndësishme që të motivohen të gjitha subjektet politike", ka deklaruar kreu i PR-së.
SHEKULLI ONLINE