TIRANE- Klubi i Patriotëve të Rinj kërkon që shteti shqiptar të shpallë non grata ideologun neonazist të Agimit të Artë, Kristos Papas, pas deklaratave antishqiptare të lëshuara gjatë intervistës në emisionin “360 gradë” të Artur Zhejit.
“Deklaratat e djeshme të një deputeti të Parlamentit të Greqisë, se Greqia duhet të ndërhyjë me ushtri në Shqipëri duhet të vendosin në lëvizje të gjitha autoritetet shqiptare mbi fenomenet e rrezikshme që po ndodhin në rajon. Deklaratat e Kristos Papas, partia e të cilit përbën sot 7 për qind të elektoratit grek dhe sipas sondazheve vijon të jetë në rritje, janë një sinjal i keq për marrëdhëneit mes dy vendeve. Ne nuk trembemi. Burracaku Papas vetëm përpara dy muajsh u kthye nga mesi i rrugës kur pa bllokadën që Klubi i Patriotëve të Rinj i bëri në Këlcyrë. Trimëria e tij false vetëm me fjalë e ka marrë përgjigjen nga rinia patriotike shqiptare. Po e njëjta përgjigje do të jetë sa herë që një neonazist, qoftë edhe antar i thjeshtë, i kësaj partie do të tentojë të hyjë në Shqipëri për axhendat e tij neonaziste antishqiptare. Klubi i Patriotëve të Rinj i bashkangjitet kërkesës së kryetarit të PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi, për shpalljen “persona non grata” të këtij naziskini me probleme të theksuara mendore, por me një post publik në shtetin grek, që shteti shqiptar nuk mund të bëjë sikur nuk e sheh.”- thuhet në deklaratën e Klubit të Patriotëve të Rinj.
Sipas KPR-së, “Ministria e Punëve të Jashtme e ka detyrë patriotike dhe kushtetuese mbrojtjen e dinjitetit të kombit tonë, të fyer dje nga një individ i rrezikshëm për shoqërinë e vetë, e burracak kur vjen fjala te kalimi nga fjala në vepër.”