SHBA – Shqiptarët e Amerikës kanë zhvilluar sot një protestë përpara selisë së OKB-së në Nju Jork. Siç bën të ditur gazeta "Dielli", nismëtare ka qenë shoqata legjendare ‘Vatra” e shqiptarëve të Amerikës dhe të tjera shoqata të komunitetit shqiptar në SHBA, të cilat fillimisht u mblodhën në 20 janar duke premtuar se do të lobonin në instancat më të larta amerikane dhe ndërkombëtare për këtë çështje. Dhe pikërisht sot në orën 11:00 deri në orën 14:00 para selisë së OKB-së në Neë York u mbajt një protestë gjithëpopullore e shqiptarëve të Amerikës “për të drejtat e mohuara të bashkatdhetarëve në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”.

Në thirrjen e saj, “Vatra” iu drejtua kështu shqiptarëve: “Bashkadhetarë! Kjo protestë merr një rëndësi të veçantë, jo vetëm për situatën e tensionuar të krijuar në Luginën e Preshevës pas ndërhyrjes brutale të makinës ushtarake policore serbe, që na kujton kohën e Millosheviçit, por edhe për mbarë çështjen tonë kombëtare. Serbët po tentojnë të marrin inisiativën dhe nga xhelatë po hiqen si viktima! Nuk njohin shtetin e Kosovës për minoritetin serb në këtë shtet, nga ana tjetër u mohojnë të drejtat shumicës shqiptare në Luginën e Preshevës”,- thuhet në thirrje. “Bashkadhetarë, lëreni pak orë punën dhe merrni pjesë në këtë protestë mbarëkombëtare. Jemi të gjithë shqiptarë të Preshevës në këto çaste tensioni. Le të protestojmë me kulturë dhe rregull!”