GREQI– 7 vjet burg pa kusht vendosi gjykata penale e Larisës kundër tre shtetasve shqiptarë, të cilët akuzohen se në vitin 2007 therën dhe poqën një dele, sepse ishin të uritur. 

Incidenti u raportua në polici nga bariu dhe policia identifikoi si autorë të vjedhjes 3 shqiptarë, që jetonin në rajonin e Farsalas në kushte mjaft të këqia.

Kundër shqiptarëve u ngrit akuza për vjedhje të kafshëve. Pasi bariu deklaroi në gjykatë se nuk dëshiron ndjekjen e tyre, shqiptarët u liruan dhe çështja u mbyll me kërkesën që ata të largohen nga vendi. 

Por së fundi prokurori gjeti se vjedhja dhe vrasja e kafshës është bërë nga më shumë se një person, duke e cilësuar atë “keqbërje” dhe e risolli çështjen në gjykatë. 

Të tre të pandehurit nuk ishin të pranishëm në seancën e së premtes, por u shpallën fajtorë për vjedhje të përbashkët dhe vrasjen e deles dhe u dënuan me 7 vjet burg. 

Sipas vendimit, do të lëshohet një urdhër për arrestimin e tyre, ndërsa avokati do të paraqesë një kërkesë për pezullimin e zbatimit, derisa rasti të trajtohet edhe në gjykatën e shkallës së dytë.