PRESHEVE– Çështja e largimit të lapidarit pa vullnetin e popullit dhe të liderëve të popullit shqiptar të Luginës së Preshevës duket se së shpejti nuk do të jetë më problem vetëm i Beogradit dhe Preshevës, por i komunitetit ndërkombëtar, sidomos atij në Strasburg.
Një dosje komplete është përgatitur nga institucionet legjitime të Komunës së Preshevës mbi padrejtësitë e autoriteteve serbe rreth Përmendores së UÇPMB-së, që hoqën dhe fshehën përmendoren më 20 janar të këtij viti, duke përdorur forcat policore serbe, pa paralajmërim.
Skënder Destani, kryetar i PDL dhe nënkryetar i komunës së Preshevës ka deklaruar dje, se “institucionet kompetente të komunës kanë përgatitur një padi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg”.
“Duke kundërshtuar heqjen e lapidarit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës pa kurrfarë paralajmërimi dhe në mënyrë tinëzare në orët e para të mëngjesit me forca të mëdha policore dhe me anë të xhandarmërisë serbe. Për këtë padrejetësi në kundërshtim me vendimet e komunës së Preshevës, në kundërshtim me vullnetin e popullatës së shqiptarëve në Luginë janë njoftuar në detaje edhe organizmat ndërkombëtare. Ky aksion i paparalajmëruar i forcave serbe edhe pse pritej pas vendimit për fatin e lapidarit zhgënjeu edhe OSBE-në dhe misionet diplomatike në Beograd”, tha Destani.