TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë një mesazh nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Rodham Clinton.

Kjo e fundit shpreh kënaqësinë që vizitoi Shqipërinë në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa cilëson si nder të madh dhënien e Urdhrit të Flamurit Kombëtar.

“Takimi me ju në Pallatin e Brigadave ishte kënaqësi. Gjithashtu ishte privilegj për mua të vizitoja Tiranën gjatë këtij viti historik për Shqipërinë dhe të uroja vendin tuaj për 100-Vjetorin e Pavarësisë”, thuhet në mesazh. 

Hillary vlerëson: “Personalisht, pranimi i Urdhrit të Flamurit Kombëtar përbënte një nder të madh për mua. Ky Urdhër do të shërbejë si një përkujtesë e rëndësishme e marrëdhënieve jetike mes dy popujve tanë. Pres me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin produktiv mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.”