TIRANE– Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë kërkuar sot heqjen e mandatit të deputetit të PS-së Fidel Ylli.
Deputetët e PD-së i kanë kërkuar Kuvendit që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen, që ata e konsiderojnë si shkelje flagrante të nenit 70 të Kushtetutës nga zoti Fidel Ylli.
Në kërkesën e tyre thuhet se deputeti socialist ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç dihet, dhe siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike.
“Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Pas katër muajve në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009” thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë.
Sipas deputetëve demokratë rasti i deputetit Fidel Ylli është shumë i ngjashëm me atë të ish-kolegut të tij Ilir Beqja. “Zoti Beqja e humbi mandatin e deputetit, rreth dy vjet më parë, pasi Kuvendi çoi në Gjykatën Kushtetuese fakte, që provonin se ai kishte përfituar fonde nga pushteti vendor, gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Gjykata Kushtetuese e çmoi të drejtë kërkesën e Kuvendit, i cili u vu në lëvizje sërish nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike” theksojnë më tej deputetët e PD-së.