TIRANE– Kreu i shtetit Bujar Nishani mbështet zgjidhjen e çështjes çame në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë duke u bazuar në instrumentet ndërkombëtarë përkatës si dhe garantoi angazhimin e tij të plotë institucional në mbështetje të kësaj çështje.
Në një takim me një përfaqësi të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Shoqatës Çamëria, të kryesuar nga deputeti Shpëtim Idrizi, kreu I shtetit u njoh në detaje me motivin dhe përmbajtjen e Rezolutës për Zgjidhjen e Çeshtjes Çame, e cila tashmë është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka filluar proçedurat e shqyrtimit.
Në takim, kreu i shtetit nënvizoi kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë në interes të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit në rajon.
Presidenti Nishani u shpreh se 100-vjetori i Pavarësisë shërbeu jo vetëm si një moment festimi për mbarë kombin shqiptar, por mbi të gjitha si një moment reflektimi ndaj çështjes madhore kombëtare.
“Tashmë, ky moment kulmor në historinë e shtetformimit shqiptar që lamë pas, i shërbeu të gjitha grupimeve në vend për të përcaktuar më mirë rrugën që duhet ndjekur në funksion të çështjes kombëtare. Kjo do të arrihet duke mos harruar të kaluarën, duke e kujtuar atë, por duke parë drejt objektivave të së ardhmes”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Ndërsa kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se kjo rezolutë përbën një bazë solide për zgjidhjen e çështjes çame dhe kërkesave të komunitetit çam në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera të fqinjësisë së mirë dhe në Traktatin e Miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Idrizi shprehu bindjen se kjo rezolutë do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.