DENVER– Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, e cila i ka mbushur 225 vjet në verën e kaluar, është një dokument i jashtëzakonshëm: provizionet e një teksti të shkruar në shekullin e tetëmbëdhjetë vazhdojnë të jenë udhërrëfyese për qeverisje të shekullit të njëzetenjëtë. Do të kemi punë me to në javët e ardhshme, derisa presidenti Barack Obama do t’i emërojë njerëzit e tij në pozitat kryesore të Administratës. Në shumë raste, procesi nuk do të jetë i lehtë.
Artikulli i dytë i Kushtetutës i jep presidenti fuqi që kërkojnë “këshillë dhe pajtim prej Senatit”, përfshirë nominimin e zyrtarëve të lartë. Mbase askush para 225 vjetësh, nuk kishte haber se numri i zyrtarëve të nevojshëm për të kërkuar konfirmimin e Senatit do ta kalonte 1.400-shin, ose konfirmimi i Senatit do të përfshinte edhe të drejtën e vetos që nganjëherë duhen vite për ta përfunduar.
Në të vërtetë, shumë njerëz besojnë se është prishur procesi i konfirmimit të Senatit. Ata duhet ta kujtojnë vetëm përpjekjen e dështuar për ta nominuar Susan Ricen, ambasadore amerikane në Kombe të Bashkuara, për ta zëvendësuar Hillary Clintonin në postin e sekretares së Shtetit, ose mundësinë e bllokimit të nominimit të ish-senatorit Chuck Hagel për postin e sekretarit të Mbrojtjes.
Për shkak të kaq shumë nominimeve, shumë prej të nominuarve në shumicën e rasteve kanë kaluar me të ashtuquajturin pajtim unanim, një proces në të cilin nominimet përcaktohen sipas një datë kalendarike dhe ajo datë kalendarike aprovohet si një votë e njëzëshme. Por ky proces tash ka nisur të bëhet më i rrallë.
Një senator mund ta mbajë “pezull” një nominim për çfarëdo arsye – duke përfshirë versionin personal karshi të nominuarit, ose si ndodh më shpesh, për të pasur çka t’i jepet në shkëmbim. Dhe nominimet gjerësisht janë bërë njëfarë cirku publik, duke i joshur të gjithë aktorët e mundshëm të jenë pjesë e mejdanit; organizatat joqeveritare, mbështetësit e zëshëm, politikanët lokalë dhe virtualisht këdo që ka një opinion dhe një mënyrë për ta shprehur.
Dikur këto spektakle ishin rezervuar për nominim të gjykatësve të Gjykatës Supreme – një emërim i përjetshëm të një trupi prej nëntë anëtarësh që mund t’i rrëzojnë ligjet që miratohet nga Kongresi dhe nënshkruhen nga presidenti. Por këto beteja të dikurshme tani po bëhen për nominime të tjera. Si rezultat, një marrëveshje individuale për t’i shërbyer presidentit për dy apo tre vjet është bërë një rast shkëmbimi kritikash – përvojash.
Sot, çdo i nominuar për një pozitë që kërkon konfirmim të Senatit mund të ndodhë të marrë disa orë edhe për shkak të listës së vendeve të banimit, çështjes së larjes së taksave, kontributeve të detajuara në fushata të anëtarëve të familjes dhe ngritjen e shumë pyetjeve nëse ata që i kishin punësuar këta anëtarë në fushata i kishin kryer të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Procesi i skenimit të karrierës së të nominuarit mund të kthehet edhe në kohën e viteve djaloshare, duke bërë kështu që Senati të jetë i sigurt se nuk do të ketë më asnjë dyshim në lidhje me të kaluarën e të nominuarit.
Gjatë karrierës sime, Senati më ka konfirmuar pesë herë. Secilën herë, procesi niste nga zeroja. Kishte pyetësorë të gjatë, investigim të së kaluarës, madje edhe nxjerrje të detajeve të kota që do t’i dukeshin krejtësisht të panevojshme një të nominuari.
Këto intervista përfshinin pyetje qesharake si “a jeni arrestuar ndonjëherë për kultivim të marihuanës?” ose një më e drejtpërdrejtë: “A merrni drogë?” Ose, duke u thelluar në aktivitete dhe sjellje të së kaluarës, “a jeni arrestuar ndonjëherë për dehje publike?” (“Nuk më kujtohet” mbase nuk është një përgjigje e mirë.)
Në të kaluarën, një nominim bëhej zyrtar përpara se i nominuari të kalonte në fazën tjetër dhe të takohej me senatorët për ta diskutuar emërimin. Tani, që procesi është bërë më i ndjeshëm, administrata e Obamas ka prezantuar një fazë edhe më të hershme, që nënkupton qasjen “diskuto personalisht” me senatorët, pas së cilës administrata vendos nëse duhet të shkojë përpara me nominimin apo të sprapset.
Në rastin e Susesan Rice, përgjigjja ishte jo. Në rastin e Hagelit, Administrata vendosi ta çonte përpara.
Kur nominimi çohet në Senat, atëherë nis gazi i vërtetë. Disa senatorë lëshojnë komunikata për media; “Një kandidat i mirë…” ose “Kam shqetësime….” në fazën e mëvonshme, i nominuari, tashmë e ka një ide nëse ia vlen të durohet ky presion, takon senatorin me qëllim që t’i qartësojë “keqkuptimet”. Fatkeqësisht, mund të mos ketë asnjë keqkuptim; senatori është thjesht i zemëruar me administratën për ndonjë çështje, ose nuk i pëlqen i nominuari për çfarë ka thënë ose ka bërë në të kaluarën.
Në të njëjtën kohë, shumë OJQ, nganjëherë duke punuar me stafin e senatorit të armiqësuar, do të shfrytëzojnë të dhënat publike për të gjetur ndonjë njollë të të nominuarit – konteksti shpeshherë nuk çon peshë – që sugjeron për gjykimin dhe vlerat e kandidatit. Kur isha nominuar për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Irak, një artikull gazete shkruante se unë njëherë paskan krahasuar të dhënat e drejtave të njeriut të Koresë Veriore si më të mira sesa ato të SHBA-së – një shenjë e qartë se unë qenkam një simpatizues i Koresë Veriore. (Ajo çfarë në të vërtetë kisha thënë unë për një reporter gjatë një interviste, ishte se të gjitha vendet duhet të punojnë për të dhënat e të drejtave të njeriut, “madje edhe Shtetet e Bashkuara, por Koreja e Veriut me fakte ndodhet në pozitën më të keqe në botë”.)
Aleatë të të nominuarit rekrutohen dhe përfshihen në shërbim. Senatorë që janë dy mendje kontaktohen nga mbështetës të fushatës së të nominuarit (shpeshherë me qëllim që ta amortizojnë efektin e mundshëm të aktivistëve të kundërshtarëve të nominimit).
Nganjëherë kundërshtarët e një të nominuari duan t’ia dalin me qëllimin e tyre, ose të afrojnë donatorë (një aktivitet që mund ta çojë përpara një çështje në Washington). Kur arrihet qëllimi – ose kur realizohen caqet – i nominuari merr thirrjen e lumtur telefonike: “U krye. Nominimi do të kryhet gjatë kësaj pasdite. Do të të telefonojmë kur të zhvillohet votimi. Urime!” Në këtë pikë, i nominuari nxjerr dufin dhe thotë: “Çka po mendoja unë?”
(Autori Christopher Hill, ish-ndihmës-sekretar Shteti për Azinë Lindore, dekan i Shkollës së Studimeve Ndërkombëtare në Korbel në Universitetin e Denverit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”)