STAMBOLL– Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave propozoi krijimin e Fondi Rajonal për Pyjet dhe ngritjen e komiteteve në nivel ekspertësh multilaterale e bilaterale, të cilat do të evidentojnë çështjet me karakter bi dhe multilateral. Propozimi u bë nga ministri Fatmir Mediu në takimin rajonal të ministrave përgjegjës për pyjet dhe rolin e tyre në zhvillimin ekonomik, mbajtur në Stamboll, Turqi, në datat 21-22 janar.
Mediu në fjalën e tij prezantoi pasurinë kombëtare pyjore, problemet që ekzistojnë dhe përpjekjet që po bëhen për sigurimin e menaxhimit të qëndrueshem të pyjeve nga Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, përfshi bashkëpunimin me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
“Shqipëria dhe Turqia ndajnë vizione të përbashkëta për politikat pyjore që sigurojnë menaxhimin e qëndrueshem e të integruar të burimeve natyrore, duke përmbushur funksionin ekologjik, social dhe ekonomik”, tha Mediu. Ai shtoi se “Shqipëria është e angazhuar maksimalisht në përmbushjen e standardeve në përmirësimin e shërbimit pyjor, menaxhimin më të mirë të zjarreve apo katastrofave natyrore në pyje, si dhe reduktimin e prerjeve ilegale dhe tregtine e lidhur me të”.
Sipas tij, pyjet janë një sektor mjaft i rëndësishem në proceset e zhvillimit rural. Transferimi i gjysmës së fondit pyjor tek njësitë e qeverisjes vendore synon lidhjen e njerëzve me pyllin, duke bërë të mundur jetesën në harmoni, theksoi Mediu.
Ministri Mediu vlerësoi bashkëpunimin me TIKA, Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Bashkepunim në tre fusha të rëndësishme si ngritjen e një fidanishte shtetërore për prodhimin e fidanëve arrorë-pyjorë, për reduktimin e erozionit, rehabilitimin e terreneve të degraduara dhe pyjeve të djegur, ngritjen e kapaciteteve praktike dhe logjistike të shërbimit pyjor për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri, si dhe ngritjen e një laboratori për të zhvilluar luftën biologjike kundrejt dëmtuesve në pyje. “Pavarësisht sfidave, të dy vendet janë të angazhuar maksimalisht për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zhvillimin e një ekonomie të gjelbër”, theksoi Mediu.