TIRANË-Me një investim prej 98 milionë lekësh ka nisur rikonstruksioni i rrugës së “Dibrës”, nga qendra tek zona e njohur si “Farmacia 10”, me gjatësi 1365 metra linearë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka asistuar sot në nisjen e punimeve në këtë rrugë, e cila është edhe një nga arteriet kryesore të kryeqytetit.
“Rruga e “Dibrës” është një arterie e vjetër dhe e rëndësishme e qytetit tonë, por për pjesën nga ish-Farmacia 10 deri në qendër është e vjetër edhe në kuptimin e cilësisë së infrastrukturës dhe impaktit që ka në jetën e qytetarëve të kësaj zone. Kjo është arsyeja që Bashkia e Tiranës përgatiti këtë projekt i cili parashikon rehabilitimin e plotë të këtij segmenti të rrugës së “Dibrës”, me një gjatësi prej afro 1.5 km. Rehabilitimi do të prekë të gjithë shtresat nëntokësore, ku është e nevojshme do të prekë edhe rehabilitimet e rrjetit të kanalizimeve të ujësjellësit por çka është më e rëndësishme, do u ofrojë qytetarëve të kësaj zone një “rrugë Dibre”, me standard evropian, një “rrugë Dibre” e cila përgatitet të jetë arterie kryesore e qytetit, jo vetëm në kuptimin që mbart sot por edhe në kuptimin e transportit publik dhe në veçanti, të parapërgatitjes për projektin e tramit, pasi është një ndër arteriet e rëndësishme të linjës Kinostudio-Kombinat” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.
“Le të jetë fillimi i punimeve në rrugën e “Dibrës” dhe përfundimi i tyre i shpejtë, provë e prekshme e vullnetit tonë për t’u kthyer qytetarëve të kësaj zone, sikundër qytetarëve anembanë Tiranës, trajtimin e merituar të infrastrukturës publike nga Bashkia e Tiranës, me fondet e qytetarëve të Tiranës por edhe me ndihmën e qeverisë shqiptare!”, shtoi më tej Basha.
Gjerësia e kësaj rruge do të variojë nga 10.50 deri në 14 metra. Trotuaret në të gjithë gjatësinë nuk do të jenë më të ngushtë se 2 metra.
Projekti parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, vendosjen e 112 copë ndriçuesve rrugorë, mbjelljen e 350 fidanëve të llojit bli, vende parkimi për automjete etj. Paralelisht me infrastrukturën, Bashkia e Tiranës përmes planit urbanistik i dha mundësi zhvillimi kësaj zone dhe pronave të këtyre banorëve, të cilat ishin ngrirë në mënyrë abuzive, siç shprehen vetë banorët.
Afati i përfundimit të punimeve është 10 muaj por kompania u angazhua ta përfundojë në një hark më të shkurtër kohor.
“Ndërhyrja në këtë pjesë të qytetit i paraprin zhvillimeve që kjo pjesë e qytetit do të njohë, në kuadër të planit të ri urbanistik. “Ngrirja” e zhvillimit në këtë zonë ka qenë padyshim një nga dramat e përjetuara nga çdo qytetar, nga çdo familjar i kësaj zone, ka qenë një nga diskriminimet më të pakuptueshme që i është bërë këtij komuniteti të vjetër dhe në pjesë të madhe autokton, të qytetit të Tiranës por është pasuar edhe me mungesë investimesh dhe mungesë përkujdesje ndaj asaj pjese të qytetit që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Bashkisë, pra e sektorit publikLe të jetë po ashtu provë e prekshme e përkushtimit tonë, së bashku me zhvillimin e pronës të atyre që prona iu “ngri” për kaq vite, pa asnjë shpjegim edhe për këtë pjesë të qytetit. Ne do të marrim masat që infrastruktura përreth, të ketë standard evropian dhe të ofrojë për të gjithë qytetarët e Tiranës atë cilësi jete të munguar” – theksoi z. Basha.