Kryeministri dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi dhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli janë marrë vesh për vazhdimin e koalicionit qeveritar. Kjo marrëveshje vjen nga një darkë pune të zhvilluar mbrëmë në Prishtinë midis dy liderëve të partive të koalicionit.
Çarjet brenda koalicionit ndodhën, pas kalimit të liderit të PSDK-së, Agim Çeku në radhët e PDK-së dhe kërkesën e lëshuar më pas nga AKR e Pacollit që Çeku të braktisë ministrinë e FSK-së, pasi që ajo është pjesë e ndarjes së posteve në kuadër të Koalicionit për Kosovën e Re që drejtohet nga AKR dhe ku ishte pjesë edhe PSDK-ja e Agim Çekut.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i pranishëm në takim i ka thënë mediave në Prishtinë se palët janë pajtuar për të vazhduar bashkëpunimin.
“Jemi takuar në një darkë pune, shumë të relaksuar, ku kemi diskutuar raportet në koalicionin. Jemi pajtuar të vazhdojmë angazhimet në përballimin e sfidave dhe agjendës së përbashkët, në veçanti atë ekonomike”, ka thënë Kuçi për gazetën “Koha Ditore”.
Në takim përveç Kuçit e Thaçit, nga radhët e PDK-së ishte edhe Kadri Veseli. Kurse, Behgjet Pacolli shoqërohej nga Mimoza Kusari-Lila dhe Ibrahim Makolli.