SHKUP– Një burrë 62 vjeçar nga Tetova me virusin e detektuar të gripit të tipit A (H1N1) vdiq dje në Klinikën për sëmundje infektive.

Mjekja Sanja Marinkoviq nga Klinika për sëmundje infektive informon se personi ka pasur  numër më të madh të sëmundjeve kronike ( sëmundje të veshkëve, diabeti, hipertensioni, sëmundje të zemrës), paraprakisht shtatë ditë është mjekuar në shtëpi, ka qenë lëndë  e mjekimit të mjekut amë, ndërsa 20 orë ka qëndruar në Klinikë.

Ajo potencon se te pacienti, i cili nuk ka qenë i vakcinuar, janë ndërmarrë të gjitha masat e mundshme për trajtim intenziv dhe ka qenë i vendosur në asistim të ventilimit.

"Nga pacientët të cilët janë të hospitalizuar në Klinikë, tre në mesin e të cilëve një fëmijë katërvjeçar, janë pranuar për mjekim në përkujdesje intenzive dhe tani për tani janë në gjendje kritike, por në diçka në gjendje më stabile për dallim nga pranimi. Prej tyre njëri është me sëmundje kronike paraprake, ndërsa dy janë të moshës më të re pa sëmundje kronike", tha Marinkoviq.

Jovanka Kostovska, udhëheqëse e sektorit për mbrojtje shëndetësore preventive pranë Ministrisë së Shëndetësisë deklaroi se nga e hëna deri sot ka 22 raste të reja me virus të gripit nga të cilët 19 janë të tipit A, ndërsa tre janë nga tipi B. Nga ato 19, 14 janë të tipit H1N1, ndërsa pesë me virus të gripit nga tipi H3N2.

"Nga të dhënat e institutit për shëndet publik të cilat i kemi marrë gjatë ditës së sotme, numri i përgjithshëm i rasteve të lajmëruara me simptome të gripit deri më sot është mbi 1.750 persona nga të cilët vetëm në javën e fundit 750. Ajo është shenjë se numri i të sëmurëve nga gripi rritet. Në periudhën e ardhshme do të presim numër ende më të madh të të sëmurëve. Të sëmurë ka nga Shkupi, Strumica, Kumanova dhe Tetova", tha Kostovska.

Në krahasim me analizat laboratorike të hulumtuara, lajmëroi ajo, tani numri i përgjithshëm i rasteve pozitive është 40 (nga të cilët mbi 70 për qind kanë virus të gripit të tipit  A (H1N1), nga gjithsej 65 mostra të ekzaminuara.

"Të gjitha tipet e viruseve të gripit japin simptome të njejta, fotografitë klinike dhe mjekimi janë të njejta. Inspektorati sanitar dhe shëndetësor është në terren. Kemi të dhëna prej tyre se intensivisht nëpër gjithë shtetin kryejnë kontrolle në shkollat dhe kopshtet. Nga ajo që e kemi nga terreni, nuk ka mungesë më të madhe të nxënësve ose fëmijëve në kopshtet. Ende gripi është me intensitet më të vogël, megjithatë ndërmerren masa në terren, të mos lejojmë përhapje më të madhe në kopshtet dhe shkollat", potencoi Kostovska.

Ajo bëri thirrje për rritjen e higjienës në vendet e punës, në institucionet shëndetësore dhe arsimore,  kopshtet në komunikacionin  publik – më shumë pastrim dezinfektim të autobusëve, ajrosje të hapësirave dhe larje e duarve pas çdo dalje jashtë.