Sërish rikthehet rasti i atentatit ndaj ish këshilltarit të ngushtë të Presidentit Rugova, Xhemail Mustafës.

Tashmë pohohet se përveç intervistimit të bashkëshortes së Mustafës, EULEX-i ka intervistuar edhe të dyshuar të tjerë.

Tashmë Jozyrtarisht, në misionin europian për rend dhe ligj rikonfirmojnë se një deputet dhe një zyrtar policor janë të dyshuarit kryesorë.

Hetuesit e EULEX-it kanë filluar t’i marrin në pyetje disa persona në lidhje me vrasjen e Xhemajl Mustafës.

“Po, janë marrë në pyetje disa njerëz, por edhe personat që dyshohen se kanë gisht në vrasjen e tij”, ka deklaruar një burim anonim i gazetës Express.

Burimi i njëjtë ka thënë se EULEX-i tashmë posedon disa emra që dyshohen si të përfshirë në rastin e vrasjes.

“Njëri nga ta është deputet aktual në Kuvendin e Kosovës. Njëri po ashtu është zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës.

Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë vrasje e cilësuar si politike”.

Sipas përshkrimeve të mëhershme, thuhej se deputeti i arrestuar është i Vetëvendosjes, tani nuk ka një sqarim rreth përkatësisë partiake të deputetit të dyshuar.

Gazeta “Bota sot”, ka kohë që ka shkruar se priten arrestimet, por zvarritjet në këtë proces janë jashtëzakonisht të mëdha.

Më parë ne kemi raportuar se hetimet janë në përmbyllje dhe se pritet së shpejti arrestimi i vrasësit të Xhemail Mustafës.

Të dyshimtit ishin identifikuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe këtë nuk e ka mohuar as EULEX-i, po ky mision ka zgjedhur të heshtë në vend të përgjigjeve.
Xhemail Mustafa është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000në lagjen “Santea” në Prishtinë, në hyrje të ndërtesës ku jetonte me familjen e tij.