Mbi situatën në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc
Në një intervistë të fundit që ua dha mediave, Kryeministri i Kosovës akuzoi krerët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe i bëri përgjegjës shqiptarët e asaj ane, pse nuk e mbrojtën përmendoren e dëshmorëve të UÇPMB-së, të cilën e hoqi xhandarmëria e Daçiqit.
Në fillim të negociatave ishte vetë Kryeministri ai që iu premtoi shqiptarëve atje se do ta ngrinte çështjen e Luginës në negociata me Serbinë dhe se do t’i mbronte interesat e shqiptarëve në këto negociata. Është pikërisht çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ajo që u shndërrua në atmosferën relaksuese përgjatë këtyre negociatave. Aludohej herë në këmbim territoresh, e herë në të drejtat e tyre. Për shkak të kësaj, shqiptarët atje, i kthyen plotësisht sytë kah Prishtina me shpresë se të drejtat e tyre do të shtroheshin në takimet e Thaçit me Daçiqin, dhe pikërisht për shkak të kësaj që atyre iu premtua, ata edhe i përkrahën negociatat.
Në takime më përfaqësuesit politik të Shqiptarëve të PMB, në bisedë me ta për koordinim të veprimeve mes nesh, më të vështirën e kisha t’i bind se ata nuk do të jenë temë në këto negociata. Nuk do të jenë temë pasi nuk do të jenë as kusht.
Gjatë gjithë kohës qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit u mbajtën nën iluzione nga politikanët tanë me premtimin se do t’i mbrojnë, ata madje inkurajoheshin të rrinë të qetë e të integrohen në jetën institucionale atje. Dhe gjatë tërë kohës sa ndodhnin negociatat atyre u duhej të duronin njëkohësisht dhunën e terrorin. E tash kur përnjëmend duhet t’i mbrojnë, i akuzojnë për qyqarllëk!
Këta politikanë shtetin e kanë ndërtuar për vete: për pasurim personal dhe për sigurinë e vetvetes. Por kur është puna e mbrojtjes së shqiptarëve të pambrojtur, iu thonë atyre bëjani zgjidhjen vetes. Vetë nuk guxojnë t’i dalin Serbisë përpara, as t’ia qesin asnjë kusht asaj në negociata, e nga qytetarët kërkojnë të bëhen mish për top. Në veri mungon forca e shtetit, hiqen kioskat e policisë tonë, tërhiqet policia nga kroi i Vitakut. E ky i akuzon qytetarët e pambrojtur dhe të papërkrahur për dobësi.
Kjo është e pandershme dhe pafytyrësi e papranueshme!
Kryeministri Thaçi është kryeministër qe 5 vite. Përpos që nuk i ka vënë si kusht në negociata të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, le të tregojë së paku sa cent i ka dhënë ai për ata shqiptarë që jetojnë atje. Sikur qeveria jonë në këto vite të ndante një shumë për ta dhe këtë ta bënte edhe Republika e Shqipërisë, ndryshe do të ishte gjendja atje sot.
Por jo, në vend se të jep qeveria shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci u merr para për çdo hyrje në Kosovë. E vetmja që kryeministri ynë i ka ofruar qytetarëve atje është asgjë tjetër pos inkurajim të Daçiqit. Dhe tani Daçiqi godet në dy anët. Për Kosovën harton platformë dhe në të njëjtën kohë godet shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Nuk ka si të veprojë ndryshe. Atë e ka befasuar dobësia e kryeministrit tonë në takim më të. Jam i bindur që ka pritë rezistencë nga Prishtina. Pasi kështu i mban mend ai shqiptarët përgjatë dekadave.
Pra, në fakt edhe hartimin e platformës së Serbisë edhe heqjen e lapidarit e ka bërë dobësia e Thaçit në negociatat ku Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe reciprociteti me Serbinë, nuk janë as kusht e as temë.
Ps. Kjo është fjala e Liburn Aliut e mbajtur sot në deklarimet jashtë rendit të ditës të Kuvendit të Republikës së Kosovës.