Produktet e skaduara janë një problem madhor për konsumatorët shqiptarë. Në një prej supermarketeve në bulevardin “Zogu I” janë gjetur makarona të skaduara që në vitin 2011. Ajo që ngrenë problem konsumatorët veç ushqimeve të skaduara është se ato nuk asgjësohen, edhe pasi vënë në dijeni pronarët apo punonjësit e subjekteve tregtare.
Një rast i tillë është edhe ky i makaronave të skaduara që para dy vitesh, në një prej supermarketeve në afërsi të “Stacionit të Trenit”, shkruan sot “GSH”. Situata është alarmante, sidomos nëse shikon numrin e ankesave që janë regjistruar edhe pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar vetëm për produktet e skaduara, ku janë rreth 4 mijë ankesa në vit.
Rasti
Një blerës në supermarketin pranë bulevardit “Zogu I” i është drejtuar “Gazeta Shqiptare” për të ngritur ankesën e tij në lidhje me fenomenin e produkteve ushqimore të skaduara. “E bëj zakonisht pazarin në këtë supermarket dhe jam shumë i rregullt në verifikimin e afateve të skadencës.
Mora tre pako makarona; e pashë pakon e parë dhe skadonte në 2014-ën, tjetra në 2013-ën, njërën nuk e pashë, se nuk besova se do kishte probleme. Vetëm kur shkova në shtëpi bashkëshortja më tha që pakoja tjetër ka skaduar që në 2011-ën. U detyrova të shkoja sërish në supermarket dhe lajmërova punonjësit për problemin. Më thanë “të na falësh, nuk e kemi parë”.
Por ju thashë se “këtë produkt e kam parë dhe një muaj më parë që ishte i skaduar dhe ju kam vënë në dijeni”. Më pas, pashë që drejtuesja i tha t’i largonin nga rafti ku ishin ekspozuar për shitje dhe u bënë një grumbull makaronash të skaduara që po i largonin”, – tregon konsumatori. Por pikëpyetja që ngre ai, si dhe të gjithë ne konsumatorët, është se, ku shkojnë këto produkte? A asgjësohen, apo sa për sy e faqe i hoqën dhe do t’i nxjerrin sërish në shitje? “Nuk e di çfarë u bë me to.
Kam frikë se mos u bëjnë ndonjë gjë datave të skadencës, se kam parë në dyqanin e lagjes që kishte produkte të skaduara që në 2008-ën dhe pronari ua gërvishte datat që të mos dukeshin dhe i shiste”, – tregon konsumatori. Ndërkohë që, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka sqaruar se ata bëjnë kontrolle në çdo subjekt tregtar, por për datat e skadencës duhet të ketë vetë konsumatori kujdes dhe t’i verifikojë në çdo rast.